Telegrafi

Dhëndri i Luis Enriques, sulmuesi Ferran Torres shpërblen besimin: Shënon dhe thyen rekordin e një legjende

Spanja e ka filluar furishëm ndeshjen ndaj Kosta Rikës, në kuadër të grupit E, duke shënuar plot tri herë (3-0).

Dani Olmo, Marco Asensio dhe Ferran Torres shënuan golat, duke konfirmuar që kjo treshe e sulmit e zgjedhur nga Luis Enrique ishte e duhura, pasi la në stol Alvaro Moratan.

Enrique në konferencë për shtyp kishte thënë se Torres do të startojë, pasi që ai është i dashuri i vajzës së tij dhe nëse nuk e fut në lojë, do t’ia presë kokën.

“Kjo është shumë e lehtë: është zoti Ferran Torres. Përndryshe, vajza ime do të vijë pas meje dhe do të më presë kokën”, kishte thënë Enrique.

Zgjidhja e tij për Torres për sulmin, doli të jetë e qëlluar, pasi që sulmuesi po luan një ndeshje shumë të mirë.

Ai është bërë shënuesi më i ri i Spanjës në Kupën e Botës, duke e thyer rekordin që e mbante Fernando Torres me golin e shënuar në vitin 2006. /Telegrafi/