Telegrafi

Dhëndri i Donald Trump flet për investimin e diskutueshëm saudit prej 2 miliardë dollarësh dhe vrasjen e Jamal Khashoggi – tregon nëse synon kthimin në Shtëpinë e Bardhë

Dhëndri i Donald Trump dhe ish-këshilltari Jared Kushner ka mbrojtur marrëdhëniet e tij të biznesit me Arabinë Saudite dhe princin e saj të kurorës Mohammed bin Salman.

Pas largimit nga Shtëpia e Bardhë, firma e kapitalit privat të Kushner përfitoi një investim prej 2 miliardë dollarësh nga fondi sovran i pasurisë së Arabisë Saudite.

Kushner ka punuar ngushtë me Arabinë Saudite për një sërë çështjesh gjatë administratës Trump.

Dhe ai ka mohuar se investimi përfaqësonte konflikt interesi.

Ndryshe, Princit Mohammed i është dhënë merita për mbikëqyrjen e reformave gjithëpërfshirëse ekonomike dhe sociale në mbretëri.

Por ai gjithashtu është akuzuar për “shtypjen e atyre që nuk pajtohen” dhe inteligjenca amerikane ka thënë se beson se ai ka urdhëruar vrasjen e gazetarit të Washington Post në vitin 2018, Jamal Khashoggi, të cilën princi e mohon.

Ndërkohë kujtojnë mediat, përcjell Telegrafi, investimi saudit në firmën e Kushner, Affinity Partners, u bë pasi ai u largua nga Shtëpia e Bardhë.

Kështu, ekspertët kanë ngritur më parë pyetje etike në lidhje me marrëveshjen, duke përmendur marrëdhëniet e tij të mëparshme me Arabinë Saudite dhe veton e ish-presidentit ndaj projektligjeve që do të kishin ndaluar shitjet e armëve në mbretëri gjatë luftës së saj në Jemen.

Kështu, duke folur të martën në një samit në Miami të organizuar nga gazeta amerikane Axios, Kushner hodhi poshtë çdo sugjerim se investimi saudit në firmën e tij ishte joetik.

“Nëse më pyesni për punën që kemi bërë në Shtëpinë e Bardhë, për kritikët e mi, ajo që them është: tregoni një vendim të vetëm që morëm që nuk ishte në interes të Amerikës”, citohet të ketë thënë ai.

Ai iu referua Fondit të Investimeve Publike Saudite – i cili më parë ka investuar në firma si Uber dhe Microsoft – si një nga investitorët më prestigjioz në botë.

Kushner u pyet gjithashtu për vrasjen e Khashoggi dhe raportet e inteligjencës amerikane se Princi Mohammed miratoi operacionin për ta vrarë atë në konsullatën saudite në Stamboll – raporte të hedhura poshtë nga Arabia Saudite.

Ai tha se nuk i kishte parë raportet e inteligjencës për përfshirjen e pretenduar të princit në vrasje.

“Unë e njoh personin me të cilin u përballa. Mendoj se ai është një lider vizionar. Mendoj se ajo që ai ka bërë në atë rajon është transformuese”, ka theksuar Kushner.

Ndërsa duke parë nga e ardhmja, Kushner ka bërë të ditur se nuk ishte i interesuar të kthehej në Shtëpinë e Bardhë në rast se Trump fiton zgjedhjet presidenciale të nëntorit. /Telegrafi/