Telegrafi

Dhëmbë të shëndoshë, fëmijë të lumtur-Viti shkollor 2012-2013” drejt përfundimit të fazës së I-rë

Projekti, “Dhëmbë të shëndoshë, fëmijë të lumtur- Viti shkollor 2012-2013”, do të realizohet gjatë vitit shkollor 2012-2013, përkatësisht nga muaji shtator 2012, deri në muajin qershor 2013, në të gjitha Institucionet parashokollore, fillore dhe të mesme të Republikës së Kosovës, bazuar në programin ”Shkollat Promovuese të Shëndetit” dhe në rekomandimet e grupit ndërministror nga Ministria e Arsimit, Shkëncës dhe e Teknologjisë (MASHT), Ministria e Shëndetësisë (MSH), Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH) si dhe Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve (MKRS).

Në projektin “Dhëmbë të shëndoshë, fëmijë të lumtur- Viti shkollor 2012-2013”, do të përfshihen në mënyrë të drejtëpërdrejtë mbi 1150 Institucione parashkollore, fillore dhe të mesme të Republikës së Kosovës, përkatësisht do të përfshihen një numër prej 450 mijë fëmijë-nxënës.

Xheladin Ujkani, ideator dhe udhëheqës i projektit, për Telegrafi.com, tha se : Aktualisht, është duke u implementuar faza e I-rë e cila përfshin të gjitha Institucionet parashkollore (kopshtet-qerdhet) në Kosovë. Kjo fazë ka filluar me datën 12 shtator, dhe do të zgjasë deri në fund të vitit 2012, përkatsisht deri në përfundimin e të gjitha Institucioneve parashkollore. Gjatë kësaj periudhe, ne po punojmë së bashku edhe me grupin ndërministrorë nga programi “Shkollat Promovuese të Shëndetit”, që nga muaji mars, deri në muajin qershor 2013, të filloj dhe të implementohet edhe faza e II-të dhe e III-të e projektit, në të gjitha Institucionet e arsimit fillorë dhe të mesëm në Kosovë.

Gjatë muajit nëntor, në Prishtinë janë vizituar këto Institucione parashkollore : "Bardha 1", "Bardha 2", "Bardha 3", "Bardha 4", "Bardha 6", "Shpresa 1", "Shpresa 2", "Dea 1", "Dea 2", "Te Adi", ndërsa në Istog : "Gëzimi Ynë" në Istog, "Lulet e Jetës"-Vrellë, "Ardhmëria Jonë"-Gurakoc si dhe "Shpresa Jonë"-Banjë.

* Faza e parë e projektit realizohet në mbështetje nga Klinika Dentare “DENT-IN”. Ndihmë po japin edhe Depo Dentale “ALLIANZ”- përfaqësues i autorizuar i brushave të dhëmbëve “CAVEX” si dhe Shtypëshkronja “SHKROLA PRINT”.

* Sponzor medial të projektit janë : Portali Informativ telegrafi.com, Radiotelevizioni 21 dhe Gazeta Kosova Sot.