Kina dhe Bashkimi Evropian kërkojnë të bashkëpunojnë për të luftuar proteksionizmin, deklaroi në Pekin zëvendëskryeministri kinez, Liu He, pas bisedimeve me zëvendëspresidentin e Komisionit Evropian, Jyrki Katainen.
“Masat proteksioniste mund të sjellin recesion dhe turbulenca të tregjeve”, paralajmëroi Liu He, sipas një deklarate nga Ministria kineze e Tregtisë.
“BE-ja dhe Kina pranuan që të punojnë së bashku për të reformuar Organizatën Botërore të Tregtisë (OBT) që të mund të përballet me sfidat e reja dhe të zhvillojë më tej rregulla në fushat kryesore me ndikim global”, njoftoi Komisioni Evropian në një deklaratë.
Gjithashtu, Bashkimi Evropian dhe Kanadaja përgatiten të imponojnë më 1 korrik kundërmasa doganore hakmarrëse mbi produktet amerikane pas vendimit të presidentit Donald Trump për të vendosur tarifa doganore shtesë mbi importin e çelikut dhe aluminit. /Telegrafi/