77 është numri me të cilin Lumbardh Salihu do të kandidojë në zgjedhjet 9 shkurtit për t’u bërë pjesë e Kuvendit të Kosovës.
Fituesi i Big Brother VIP Kosova 2, para vetes ka një rrugëtim të ri për të, të panjohur, që pritet të shihet se si do të shkojë.
Në një intervistë për Telegrafin, Lumbardh Salihu ka folur më gjerë rreth vendimit të tij për t’iu futur politikës përmes Lidhjes Demokratike të Kosovës, duke pasur parasysh edhe faktin që babai i tij Sali Salihu, në të kaluarën ishte deputet nga radhët e Vetëvendosjes.
Salihu tregon se interesin e tij për politikë e ka pasur edhe para se të futej në Big Brother.
Ai shton se politikani model i tij në Kosovë është kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku e i huaj është deputeti ukrainas, i njohur për qëndrimet e tij pro Kosovës, Oleksiy Goncharenko.
Për Telegrafin, Lumbardhi ka treguar edhe për pikat kryesore ku do të koncentrohet nëse merr votat e mjaftueshme për deputet.
Më poshtë ua sjellim intervistën e plotë:
Telegrafi: Lumbardh, duke pas parasysh faktin që ju piedestalin e famës dhe audiencës e keni arritur me pjesëmarrjen dhe fitoren tuaj në Big Brother, cili ishte ai momenti kur ju thatë ‘tani është çasti t’i futem politikës’ – a keni marrë paraprakisht ftesë, apo ishte dëshirë që lindi nga ju?
Lumbardh Salihu: Interesimin për politikë e kam pasur para se të hyj në Big Brother, një kohë të gjatë para se me hy në atë format sepse temat kanë qenë gjithmonë politike në shtëpi sepse vij edhe prej një familjes politike, në atë formatin unë kam hyrë pak a shumë me tregu se kush jam, që të më njohin njerëzit, të njoh pak më shumë edhe kulturën e Kosovës meqë jam rritur jashtë vendit dhe e kam pasur gjithmonë si synim me shku atje, me u shkollu, me mbledh me fitu eksperienca të ndryshme, që të mund ato eksperienca t’i sjell edhe këtu. Siç e dini në Big Brother e kemi pasur të ndaluar që të flasim për politikë përmes këmishës legjendare kam dashur që të sinjalizoj botës jashtë që në atë rrugë do të shkoj dhe aty do të jetë edhe e ardhmja ime.
Telegrafi: Pse pikërisht në LDK? Kush ishte shtysa që ju bëri juve të kandidoni në Listën e kësaj partie, duke e pasë parasysh faktin që babai juaj në të kaluarën ka qenë deputet nga një parti tjetër? Cila është fjalia që ai ta tha kur mori vesh për afrimin tënd me LDK-në?
Lumbardh Salihu: Unë e mbaj mend presidentin Rugova me maturinë e tij dhe me vizionin e tij politik. Para se me shku në Austri ka qenë Rugova si figurë politike që e kam pasur në kokë. LDK i ka disa vlera që edhe unë mund të identifikohem me to, që janë vlera familjare, patriotike, po ashtu edhe zhvillimi ekonimik në një shtet sepse është një gjë shumë e rëndësishme me qenë ekonomia e fortë sepse kur e kë ekonominë e fortë e ke edhe ushtrinë e fortë, policinë e fortë, shëndetësinë, arsimin dhe edukimin e fortë. Sa i përket fjalës së parë që më ka thënë babai kur ka dëgju se LDK ka interes, unë kam interes për me hy në LDK ka qenë se, ka me qenë gjithmonë mbrapa meje dhe do të më mbështes në çdo aspekt.
Telegrafi: A mendon që audienca e Big Brother, e cila ka të drejtë vote, do të të votojë edhe për deputet? Sa mendon që e ke mbajt lidhshmërinë tënde me publikun përgjatë këtyre muajve?
Lumbardh Salihu: Unë po shpresoj që natyrisht qytetarët që të më votojnë, jam duke punuar për të fituar besimin e tyre, shtyllat kryesore kanë me qenë rinia dhe sporti po ashtu është edhe një temë që e kam cek, dua të kontribuoj në aspektin e shëndetit mendor sepse është një temë që ballafaqohet rinia shumë me të, por shteti nuk merr masa kurrfare. Sepse unë mendoj që një të riut nuk besoj që i intereson se çfarë po ndodh në Mitrovicë ose çka është Asociacioni, mendoj që për rini duhet me pas zgjidhje reale, me pas mundësi të reja, projekte të reja, planprograme të reja që të mos ikin jashtë vendit sepse rinia është shpirti i një shteti.
Telegrafi: Nëse zgjidhesh, ti e di që përmes pyetjeve jashtë rendit të ditës mundesh me adresu çështje të ndryshme, varësisht prej shqetësimeve të qytetarëve. Cilat mendon që do të ishin tri çështjet e para apo problematikat e para, që Lumbardhi kish tentu me ju ba zgjidhje si deputet?
Lumbardh Salihu: Krijimi i më shumë mundësive në sport dhe edukim, unë mendoj që sporti nuk është vetëm pasion kënaqësi, është edhe pak a shumë biznis, por edhe një lloj promovimi i shtetit tonë sepse përmes sportit promovohet si shtet. Majlinda Kelmendi po e marr si shembull kur fitoj ‘Medaljen’ hypi në podium dhe ngriti flamurin kosovar ky është një lloj promovimi kështu që që rinia ose sporti duhet me pas fokus të mirë, ose mbështetje të madhe prej shtetit sepse mundet me qenë një çelës që me u promovu një shtet jashtë vendit. Do përpiqem të ndihmoj që të rinjtë e Kosovës të kenë lidhje me kompani ndërkombëtare që të mund të shfaqin potencialin maksimal dhe çështja e tretë është problemet mendore. Nuk është që po flitet shumë ose janë duke u trajtuar këto probleme, mendoj që stresi, ngarkesa, ankthi e depresioni duhet me dit si me u trajtu.
Telegrafi: Përveç babait, cili është politikani kosovar dhe i huaj që ju e keni si shembull?
Lumbardh Salihu: Nuk ka me qenë befasi nëse e them Lumiri, por me të thënë të drejtën është Lumir Abdixhiku me planprogramin më të mirë dhe vizionin shumë të qartë për Kosovën. Kam shumë besim në të. Në aspektin ndërkombëtar është një deputet në Kuvendin e Ukrainës (Oleksiy Goncharenko), mua më pëlqejnë politikanët që kontribuojnë dhe që kanë dëshirë që Kosova me avancu dhe ai e ka ngrit zërin në Këshillin Evropian që Kosova me u anëtarësu në BE, ky fakt më jep një lloj admirimi për një politikan të tillë që ka qejf që Kosova me ec përpara.
Telegrafi: Tash që pak ke hy ndoshta në rrjedha më shumë të zhvillimeve politike, a të ngjason sadopak politika me Big Brother? A je i gatshëm edhe këtu për debate?
Lumbardh Salihu: Politika është diçka shumë reale dhe unë do të marrë shumë seriozisht sepse ka të bëj me angazhimin tim që të krijoj diçka të mirë çdo ditë për qytetarët, por veçanërisht për të rinjt, projekte të reja, programe të reja, siç e thash edhe më herët. Normalisht jam i gatshëm për debate sepse unë mendoj që me kalimin e kohës adaptohesh në një fushë dhe jemi duke punuar për të bërë më të mirën për jetesën e qytetarëve të Kosovës.
Telegrafi: Pesë arsyet pse duhet me u votu Lumbardhi?
Lumbardh Salihu: Mendoj që janë disa arsye se përse duhet me me votu mua, veçanërisht dua të filloj me arsyen e parë që është energjia e re dhe perspektiva e re që mund të sjell në politikë. Arsyeja e dytë, unë kam qejf me qenë i fokusuar në zgjidhjen e problemit, jo vetëm diskutime. Unë kam ide dhe përvoja që kam mundur t’i mbledh jashtë vendit, po ashtu jam shumë i afërt dhe shumë gati për bashkëpunim.
Lumbardh Salihu: Meqeneëse ju keni kaluar nëpër disa profesione gjatë jetës. Njëherë sportist, pastaj fytyrë e shoubizit, e tash politikan – a menon që kjo e fundit ka me qenë veprimtaria e fundit që do ta vulos përgjithmonë figurën tënde?
Telegrafi: Për momentin jam i fokusuar 100 për qind në fushatën time dhe në zgjedhjet e 9 shkurtit, natyrisht që kam synime, ide për projekte të reja, siç e thash edhe më herët, gjithë energjinë kam dëshirë me ia përkushtu fushatës dhe pastaj qytetarëve të Republikës së Kosovës. /Telegrafi/