Telegrafi

Dezinformimi nga mediumet publike, EPIK shpërndan analizën, reagon zëdhënësi i PDK-së

Instituti EPIK ka publikuar sot një analizë, ku raportohet për shpërndarjen e dezinformatave nga mediumet publike në Ballkanin Perëndimor në vitet 2018-2020.

Në këtë analizë, sipas institutit EPIK, mediumi publik në Kosovë prin në Ballkanin Perëndimor për shpërndarjen e dezinformatave.

Pas kësaj, ka reaguar zëdhënësi i Partisë Demokratike të Kosovës, Avni Bytyçi.

Ai në një postim në rrjetin social Facebook shkruan se instituti EPIK i themeluar nga ish Sekretari i Ministrisë së Integrimit dhe ish zëvendës ministri i kësaj ministrie, nga Lëvizja Vetëvendosje, sot e paskan publikuar një tabelë në të cilën paraqitet niveli i dezinformatës në nivel të shteteve nga transmetuesit publik.

“Sipas tyre dhe raportit skandaloz për Parlamentin Evropian, transmetuesi publik dezinformon 100%, d.m.th. edhe për motin dezinformon. Tabela vet është e paqartë, 100% nga çka. Kjo shifer apsolute e prezantuar në këtë formë nuk ka logjikë kështu. RTK mund të kritikohet për shumë gjera, por nëse e shikon tabelën na dalin se RTS dhe transmetuesit tjerë publik në rajon janë super korrekt, thuajse ne nuk jetojmë në Ballkan”, shkruan Bytyçi.

“Tash, ky i ashtuquajturi institut, i cili vet ka kontribuar fuqishëm me dezinformata për procesin integrues duke theksuar se Kosova nuk i ka plotësuar kriteret për liberalizim, po mundohet ta arsyetojë një raport që as vet autorët nuk kanë mundësi ta arsyetojnë. Nëse kanë dhënë edhe vet inpute, “instituti” e ka gjetur mënyrën e gabuar për të arsyetuar “punën” e tyre.

Paramendoni për një kohë të gjatë kësi lloj raportesh me gënjeshtra janë shpërndarë nëpër institucionet e BE-së. Por, thjeshtë, janë injoruar nga niveli zyrtar”.  /Telegrafi/