Koreja e Veriut thuhet se ka zëvendësuar rojet dhe ka forcuar pjesën e kufirit të saj, ku një ushtar i ri u largua duke kaluar për në Korenë e Jugut, javën e kaluar.
Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, dezertori i Koresë së Veriut u qëllua dhe u plagos nga ushtarët e tjerë, ndërsa ai u largua në drejtim të Koresë së Jugut, përkatësisht Zonës së Përbashkët të Sigurisë (JSA), javën e kaluar.
Fotografitë nga kjo zonë tregojnë pesë ushtarë të Koresë së Veriut që gërmonin një gropë të thellë në zonën ku ushtari kishte kaluar kufirin.
Fotot thuhet se u morën nga një grup diplomatësh të lartë të vendosur në Seul duke vizituar zonën të mërkurën në mëngjes.
Sipas një zyrtari të inteligjencës të cituar nga agjencia e lajmeve Yonhap e Koresë së Jugut, Veriu ka zëvendësuar 35-40 ushtarët të cilët ishin duke ruajtur zonën, në kohën e incidentit.
Mediat e huaja kanë publikuar ditë më parë një video në të cilën thuhet se shihet një ushtar i Koresë së Veriut, i cili tenton të arratiset nga ky vend, në drejtim të Koresë së Jugut.
Videoja tregon se si ushtari me shpejtësi të lartë me një xhip tenton të largohet, ndërsa ndiqet nga ushtarët e Koresë së Veriut duke gjuajtur me armë në drejtim të tij, ndërsa ai tenton të kalojë kufirin.
Bëhet e ditur se dezertuesi u qëllua së paku pesë herë me plumba dhe u transferua në një spital ku ai iu nënshtrua dy ndërhyrjeve kirurgjikale.
Ai tanimë thuhet se është jashtë rrezikut për jetë. /Telegrafi/