Pakënaqësia rritet e bashkë me të edhe dyshimi. Tentativa diletante për puç në Turqi ka dështuar, tërbimi i presidentit Erdogan ndaj kundërshtarëve të tij po bëhet gjithnjë e më i ashpër.
Në ditët pas Erdogani nuk po njeh as masë e as ekuilibër. E përderisa ai po godet ashpër nga të gjitha drejtimet, po shtohen edhe dyshimet ndaj vet puçit. Askush nuk po flet më tani për një triumf të popullit e demokracisë. Sepse puçi i dështuar i shërben Erdoganit vetëm për një qëllim: të eliminojë të gjithë kundërshtarët, thuhet në një koment të Deutsche Welle.
Do të pasojnë edhe shumë arrestime
Një kasaphanë politke po ndodh në Turqi. Më shumë se 20.000 vetë – gjyqtarë, prokurorë, oficerë – ndërkohë janë shkarkuar ose madje janë arrestuar. E parandihet që do të pasojnë edhe shumë të tjerë – nga mediet e universitetet. Turqia nën Erdoganin kësisoj po deformohet përfundimisht në një autokraci të një personi duke përfshirë edhe dënimin me vdekje – nën mantelin parlamentar. E gjitha kjo gjoja e bazuar në vullnetin e popullit. Erdoganit nuk i duhet parlamenti, ai ka popullin pas vetes. Të paktën kështu beson ai. Sidoqoftë imamët janë në anën e tij. E kështu nuk mund të përjashtohet, që nga republika sekulariste e Ataturkut të bëhet një autokraci islamike e Erdoganit. Një vend në BE në këtë mënyrë është i përjashtuar definitivisht, e vendi në NATO vihet në pikëpyetje.
Në retrospektivë puçi duket si një farsë: Aviacioni ushtarak bombardon parlamentin, por nuk e gjen rrugën për në vendin ku kalon pushimet presidenti. Puçistët dilenatë pushtojnë radion shtetërore, por jo ato private. Ata nuk bllokojnë rrugët e komunikimit, por i lenë ato të hapura. Ata e inskenojnë operetën e puçit në orët e para të mbrëmjes – kur në Stamboll fillon fundjava – në vend që ta bëjnë këtë në orët e mëngjesit, kur qyteti fle. Ata e lejojnë presidentin gjoja të shfuqizuar të fluturojë për në Stamboll – ndonëse ishin gjoja kokat drejtuese të aviacionit që tentuan puçin. Atje presidentin e presin njerëzit e vet. Dhe ushtarët e thjeshtë të puçit besojnë, se ndodhen rrugës për një stervitje mbrojtjeje. A mund të jetë kështu një grusht shteti? E paimagjinueshme.
Lamtumirë idealit themelues të Turqisë sekuilariste
Nuk duhet të bëhesh pjesë e teorive të komplotit. Por a ka mundësi që ushtria – pas më shumë se dymbëdhjetë vjetësh Erdogan si kryeministër dhe president – të mos ketë asnjë ithtar të AKP-së në radhët e oficerëve të saj të rangut të lartë? A është vërtetë e mundshme, që një tentativë për puç të mos jetë nuhatur aspak prej shërbimit sekret turk?
E si ka mundësi që Erdogani në mëngjes pas puçit pati një listë me 3000 gjyqtarë, që duheshin pushuar? Të gjitha këto janë pothuajse të pamundura. Ndaj Erdogani ndonëse nuk e ka inseknuar vet puçin, ai e ka shfrytëzuar atë, për të larë hesapet në Turqi – me gjyqtarët e gazetarët kritikë, me të gjithë ata, që i përmbahen idealit themelues të Turqisë sekulariste. E duke dashur të “spastrojë” vendin e tij – një analogji e tmerrshme kjo me spastrimet e Stalinit në vitet 1930 – ai tregon, se nuk është më një demokrat, që do t’u përmbahet rregullave të kushtetutë së tij. Rivendosja e dënimit me vdekje përfshihet këtu në mënyrë eksplicte.
Quo vadis Turqi?
Tani duket se ajo po shkon drejt një autokracie islamike të Erdoganit. Fanatzitë e tij të gjithëpushtetshmit nuk orientohen vetëm nga brenda, por edhe nga jashtë vendit. Ai sfidon aleatët e vet, e madje sfidon edhe SHBA-në. Baza mbrojtëse në Inçirlik mund të përdoret në luftën kundër IS-it vetëm nëse SHBA ekstradon armikun e betuar të tij Gülen. Akuzat kundër tij nuk janë vërtetuar aspak. Por Erdogani ndihet i fortë, i pushtetshëm dhe i gjithëpushtetshëm. Ai nuk i trëmbet askujt – ndoshta vetëm Putinit, të cilit i ka kërkuar falje. /DW/