Telegrafi

Deutsche Bank nuk pranon të zbulojë detaje të marrëveshjes me Trump

Deutsche Bank ka hedhur poshtë një kërkesë të senatorëve demokratë të SHBA-së për të dhënë informacione në lidhje me marrëveshjet e saj të fundit me presidentin e Shteteve të Bashkuara Donald Trump, sipas një letre të marrë nga Reuters këtë javë.

Katër senatorë të Partisë Demokratike të udhëhequra nga Elizabeth Warren në fillim të këtij muaji e pyetën liderin e bankës gjermane Christian Sewing për detaje mbi marrëveshjet e këtij viti të bankave me Trump në bizneset në pronësi të familjes së tij, transmeton Telegrafi.

Deutsche bank është një nga huadhënësit më të mëdhenj për hotelet e Donald Trump, vendpushimet e golfit dhe bizneset e tjera, sipas një letre nga një senator. Senatorët janë të shqetësuar se banka mund të jetë duke i dhënë kushte preferenciale familjes së presidentit Trump kur paguan një kredi.

Bordi i bankës kundërshtoi kërkesën e senatorit, duke shpjeguar vendimin për mbrojtjen e intimitetit, sipas një letre të datës 21 prill, marrë nga Reuters.

“Shpresojmë të kuptoni që Deutsche Bank duhet të respektojë kornizat ekzistuese ligjore dhe kontraktuale me një informacion të tillë konfidencial”, shkroi firma juridike Akin Gump, e cila përfaqëson bankën.

Senatori Chris Van Hollen, një nga tre senatorët që nënshkruan letrën nga Warren, tha të shtunën se përgjigja e bankës ishte “e papërgjegjshme”.

“Populli amerikan meriton përgjigje dhe gjithçka tjetër është e papranueshme. Unë do të vazhdoj të kërkoj të vërtetën dhe transparencën”, shkroi Van Hollen në një deklaratë dërguar në Reuters. /Telegrafi/