Deutsche Bank raportoi në fund të kësaj jave humbjen e tretë radhazi vjetore për 2017, duke marrë goditje nga sfidat në tregje, rënia e të ardhurave në bankingun e investimeve si dhe prej ndryshimeve tatimore në SHBA. Rezultati ka gjasa të vendosë presion te planet e kreut ekzekutiv John Cryan, për të riorganizuar bankën më të madhe gjermane.
“Jemi drejt rrugës për të krijuar rritje dhe kthime më të larta me një disiplinë të përmbajtur në kostot dhe rreziqet. Kemi bërë progres por nuk jemi ende të kënaqur me rezultatet”, tha kreu ekzekutiv i bankës.
Investitorët i kanë bërë thirrje atij që të ulë kostot, por banka deklaroi se pret që kostot në 2018-ën të arrijnë në 23 miliardë euro, sipër objektivit të mëparshëm prej 22 miliardë. Gjatë muajit mars të vitit të kaluar, Deutsche lajmëroi një riorganizim që përfshin integrimin e njësisë retail Postbank, si dhe shitjen e pjesshme të njësisë së menaxhimit të aktiveve. Këtë javë, institucioni bëri të ditur se integrimi me Postbank është brenda planeve dhe se do të largojë pjesërisht njësinë e menaxhimit të aktiveve sa të jepet mundësia.
Institucioni raportoi një humbje prej 497 milionë euro në vitin 2017, krahasuar me 290 milionë që projektonin analistët. Reforma në SHBA solli një ngarkesë tatimore prej 1.4 miliard euro, duke e çuar bankën në humbje të plotë vjetore. /Telegrafi/