Site icon Telegrafi

I detyruam rusët të largohen nga Kievi, jemi gati për atë që na pret

Dollapët e kuzhinës në murin e ndërtesës së bombarduar në Borodianka afër Kievit

Nga: Nataliya Gumenyuk, gazetare ukrainase dhe autore e librit “Ishulli i humbur: Rrëfime nga Krime e okupuar” (2020) / The Guardian
Përktheu: Agron Shala /  Telegrafi.com

Afër një prej shesheve më të vjetra e më të bukura të Kievit, “Sofiivska”, e takova Andriy Khlyvnyukun – këngëtarin e famshëm ukrainas i cili së fundi iu bashkua mbrojtjes civile të policisë. Kam shkruar për të në ditët e para të luftës. U bë virale videoja e tij duke e kënduar marshin shekullor, “Oh, kulpra e kuqe në fushë”. Pink Floyd bashkëpunoi me Khlyvnyukun dhe në mbështetje të Ukrainës e publikoi versionin e tyre të këngës, “Hej, hej çohu”,.

Në fillim të luftës, u zbrazën rrugët e qyteteve të Ukrainës. Prandaj, kur të panjohurit tash takohen, ata përshëndeten; e, kur hasin në dikë që e njohin, sado pak, ata e përqafojnë njëri-tjetrin. I thashë Khlyvnyukut se sapo u ktheva nga Donbasi dhe se e kam një ndjenjë të një tragjedie të pashmangshme, në pritje të betejës ndoshta më të madhe të kësaj lufte. “Qysh po mbahesh?”, më pyeti Andri. “S’po mendoj shumë”, i thashë. “Thjesht, po fokusohem tek ajo që duhet bërë më pas”. “Njëjtë edhe unë”, më tha. Kjo ndodhë me shumicën e miqve të mi dhe me njerëzit që i takoj.

Disa ditë pas çlirimit të Buçës, kalova nëpër rrugën më të dëmtuar – “Vokzalna”. Sipas autoriteteve ukrainase, gjatë pushtimit rus të paktën 400 njerëz u vranë aty. Buça është qytet periferik afër Kievit, ku profesionistët e klasës së mesme preferojnë të blejnë banesa dhe shtëpi të përballueshme, meqë ka më shumë kopshte dhe ajër më të pastër. Mes rrënojave të tankeve të djegura, Ihori dhe Volodya – punëtorë në një kompanie komunikimi – i riparonin kabllot optikë për t’i rivendosur lidhjet e internetit në qytet. Disa metra më larg, ekipet e shpëtimit e çminonin zonën. Në qytetin fqinj të Irpinit – i cili u granatua rëndë – kryebashkiaku u kërkoi banorëve të ndihmonin në pastrimin e mbeturinave. Duheshin 300 vullnetarë; 1,500 u regjistruan menjëherë dhe brenda disa ditësh pothuajse 10 mijë iu bashkuan ndërmarrjes për pastrim.

E fotografoj çdo shtëpi që shoh. Së pari i fotografoj të gjitha shtëpitë që nuk janë shkatërruar – e këto janë shumica. I postoj këto foto në mënyrë që njerëzit që ia dolën të ikin të mund të shohin nëse shtëpitë e tyre kanë mbijetuar. Për një moment të shkurtër, ndjej se kam ardhur në këto zona jo vetëm për ta dhënë një rrëfim të zymtë për tmerret, por për të dhënë shpresë se qytetet e tyre kanë mbijetuar, se ka një vend ku të kthehemi.

Për t’i dokumentuar dëshmitë e krimeve – diçka që e shoh si pjesë të punës sime – është bërë i vështirë udhëtimi mes fshatrave dhe qyteteve të çliruara rreth Kievit. Shumë ura u bombarduan dhe rrugët po pastrohen, kështu që janë të mëdha bllokimet në trafik. Njerëzit po kthehen në mënyrë masive, Por, kryetari i Bashkisë së Kievit, Vitali Klitschko, u ka kërkuar banorëve që të presin. Sirenat e sulmit ajror ende po bien, megjithëse i dëgjojmë më rrallë. Mund të fillojë sulmi – në shkallë të gjerë – kundër kryeqytetit. Oleksandr Gruzevych – zëvendësshefi i Shtabit të Forcave Tokësore dhe gjeneral përgjegjës për mbrojtjen e Kievit – thotë se nuk ka rëndësi se si shkon beteja në Donbas: kryeqyteti ukrainas do të mbetet objektivi kryesor për Rusinë. Të tjerë janë të shqetësuar se pas fundosjes së anijes luftarake “Moskva”, Kremlini është i prirë për hakmarrje dhe ta marrë parasysh një sulm tjetër ndaj Kievit.

Sidoqoftë, është një ndjenjë e fitores. Deri tash Kievi është shpëtuar jo për shkak të mëshirës së Putinit, por për shkak të mbrojtjes ajrore të kryeqytetit – më të mirës në vend. Tërheqja e rusëve nuk ishte gjest vullneti i mirë; u tërhoqën sepse nuk arritën ta pushtonin kryeqytetin. Disa postblloqe në rrugët e Kievit tashti po hiqen, për ta lejuar qarkullimin më të lirë. Një sallon bukurie pranë shtëpisë sime e dërgoi një mesazh: “Hapur, sërish”. Një hidraulik është gati të vijë në banesën e mikut tim më së largu deri nesër. Nxënësit në shkolla i ndjekin mësimet online. Ora policore e natës fillon më vonë – në 22:00 e jo në 19:00 siç ishte në ditët e para të luftës. Kjo ua lejon banorëve të udhëtojnë për në punë, ndërsa dyqanet e bizneseve kryesore janë hapur sërish. Po ashtu, edhe disa restorante hapur.

Nuk jam ende gati të shkoj në restorante, kështu që në vend të kësaj përcaktohem për një supermarket. Nuk ndihesh në rregull nëse ha jashtë e nëse kalon mirë. Shumë banorë të Kievit e ndjejnë fajin e të mbijetuarit. Autoritetet e qytetit thonë se 228 civilë, mes tyre katër fëmijë, u vranë në Kiev dhe se rreth 400 njerëz u plagosën. Megjithatë, niveli i shkatërrimit nuk mund të krahasohet me Kharkivin ose Mariupolin. Për më shumë, në qytetet e afërta si Buça, Irpini dhe Hostomeli, shumë banorë e kanë paguar çmimin më të lartë të mundshëm për të mos e lejuar hyrjen e rusëve. Ata u torturuan, u grabitën, u vranë. Shumë shtëpi u dogjën.

Kur u ktheva në Buça disa ditë më parë, me një grup gazetarësh të huaj që donin t’i shihnin tanket e shkatërruara ruse, nuk mund ta gjenim asnjë, madje edhe rruga “Vokzalna” është hapur për automjetet. Shtëpitë janë shkatërruar nga granatimet, por nuk është e qartë se këtu ka ndodhur një betejë e ashpër. Gazetarët dolën të zhgënjyer. Për ne është ende një vend ku jetojmë, megjithëse pastrimi nuk do të thotë të fshish kujtesën e asaj që ndodhi këtu.

Ukrainasit janë elastikë sepse dimë të kalojmë shumë shpejt në modalitetin e mbijetesës. Kjo është historia jonë. E bën atë që duhet bërë, sepse mund të mos e kesh një shans tjetër. E çuditshme, por jam unë ajo që i qetëson miqtë dhe kolegët perëndimorë kur ankohen se si ndihen të pafuqishëm. Këtu në Ukrainë ne nuk ndihemi të pafuqishëm. Bëjmë punë praktike për ta mbrojtur gjatë gjithë kohës veten tonë. Kritika ime kryesore për analistët e inteligjencës perëndimore – të cilët ishin të saktë për luftën e Putinit – është se ndër skenarët shpeshherë të tmerrshëm që ata i përshkruajnë, është një që përmendet rrallë në të cilin Ukraina do të fitojë.

Imazhi më i popullarizuar këto ditë në Ukrainë është fotografia e dollapëve të kuzhinës që rri paprekur në murin e një ndërtese të bombarduar në qytetin Borodyanka, afër Kievit. “Nëse reziston një dollap kuzhine”, thonë njerëzit, “patjetër që mundemi edhe ne”. /Telegrafi/

 

 

 

Exit mobile version