Kylian Mbappe ka njoftuar largimin nga PSG pas shtatë sezonesh dhe duke i falënderuar të gjithë, përveç presidentit të klubit francez, Nasser Al Khelaifi, të cilit nuk i ka thënë lamtumirë në deklaratën e tij të bërë përmes rrjeteve të tij sociale.
Sulmuesi francez ka falënderuar të gjithë trajnerët dhe drejtorët sportivë, duke filluar nga Unai Emery dhe duke përfunduar me një tjetër spanjoll, Luis Enrique. Por Al Khelaifi, nuk ishte askund.
Marrëdhënia nisi të prishej verën e kaluar, kur në korrik ai vendosi të informonte klubin se nuk do ta vazhdonte kontratën deri në vitin 2025.
Në atë moment gjithçka shpërtheu. Mbappe e akuzoi klubin se kishte nxjerrë vendimin e tij në shtyp dhe klubi u përgjigj duke e nxjerrë në shitje. Francezi magjik nuk e harron këtë dhe kjo është arsyeja pse marrëdhënia e tij me Al Khelaifi nuk ka qenë e duhura.
Në gusht, të dyja palët arritën një marrëveshje profesionale për të normalizuar situatën dhe për të përballuar sezonin në mënyrën më të mirë të mundshme. Mbappe e fali bonusin e kontratës prej 100 milionësh euro që duhej të merrte në fund dhe klubi i hapi sërish dyert e skuadrës.
Mbappe luajti të gjithë sezonin me normalitet absolut, duke shënuar 43 gola në 46 ndeshje zyrtare , por nuk i harron as muajt e fundit, në të cilët ka qenë i ulur në bankinë më shumë se sa do të donte. Ai ndjen se pas këtij vendimi nuk qëndron Luis Enrique, por klubi, të lënduar nga largimi i tij drejt Real Madridit.
Sepse klubi parisien nuk ka pasur asnjëherë dyshime se pas vendimit të Mbappes për të mos vazhduar kontratën e tij ka qëndruar gjithmonë Real Madridi.
Siç njofton RMC Sport, francezi ka mbërritur pasditen e kësaj të premteje në “Parc des Princes” për të bërë një aheng lamtumire me CUP-in, grupin e ultra tifozëve të skuadrës franceze. Këtë fundjavë vjen lamtumira në shtëpi ndaj Toulouse dhe do të ketë një atmosferë të veçantë për francezin. /Telegrafi/