Telegrafi

Detajet që quan në mosmarrëveshjen Armend Dallku – Prishtina

Prishtina e ka shkarkuar Armend Dallkun, pasi ky i fundit nuk ka pranuar që tua prektojë se do ta fitojnë titullin e kampionit.

Armend Dallku është larguar nga drejtimi i Prishtinës vetëm një vit pasi e mori ‘timonin’ e skuadrës ku e fitoi edhe Kupën e Kosovës.

Telegrafi ka mësuar se si ka shkuar deri te prishja e marrëdhënieve mes trajnerit dhe disa të deleguarve në klub.

“Trajnerit i është kërkuar garanci që do ta fitojë titullin e kampionit këtë vit me Prishtinën, gjë që nuk është pranuar nga Dallku”.

“Kjo ka ardhur pasi trajneri ka kërkuar që në skuadër të ofrohen dy lojtarë të huaj, një mbrojtës dhe një sulmues, gjë që nuk është përkrahur nga drejtuesit. Kërkesa e Dallkut ka qenë e tillë pasi janë larguar disa lojtarë kryesorë nga edicioni i kaluar”.

“Aty ka ndodhur edhe krisja e madhe, ku Bajram Sherifi dhe Fisnik Kërqeli, ia kanë kumtuar lajmin për shkarkimin e tij dhe të ndihmësit Artan Luzi”, ka thënë për Telegrafin një burim i afërt me të dyja palët.

Sipas burimeve të Telegrafit, Bajram Sherifi dhe Fisnik Kërqeli janë të deleguar nga aksionari Rrahman Haradini dhe nuk kanë kontratë me klubin.

Po ashtu është mësuar që për disa ditë ekipin do ta udhëheqë Debatik Curri, i cili ka vazhduar bashkëpunimin me klubin.

Prishtina pritet që ta emërojë për trajner Zekerija Ramadanin. /Telegrafi/