Site icon Telegrafi

Detajet e vrasjes së afro-amerikanit në Atlanta, policët e kishin lutur që mos t’i rezistojë arrestimit – u qëllua me dy plumba në shpinë

Drama rreth vrasjes së afro-amerikanit të paarmatosur nga ana e policëve amerikanë, nuk ka të ndalur. Është zbuluar se polici kishte shtënë të paktën dy herë në shpinën e 27-vjeçarit Rayshard Brooks.

Policia ka publikuar pamjet e kamerës së sigurisë që e barte në uniformë njëri nga policët, që kishin tentuar ta arrestojnë afro-amerikanin tashmë të vdekur, transmeton Telegrafi.

Në video shihen detajet e arrestimit nga momenti, kur policët që paraprakisht e kishin zgjuar Brooks që po flinte në veturën e tij të parkuar para një restoranti të ushqimit të shpejtë, tentojnë t’ia vënë prangat.

Shihet se si Brooks i reziston arrestimit, dëgjohen britmat “mjaft rezistove”, kurse më pas Brooks tenton të arratiset duke vrapuar. Ndërkohë kamera përfundon në tokë, kurse qartë dëgjohen tri të shtëna që janë shkrepur nga revolja e policit.

Siç është raportuar më herët dhe mund të shihet në video, Brooks kishte arritur t’ua merr policëve elektroshokun si dhe të arratiset për pak sekonda dhe ta mbajë në duar, madje në një moment ia drejton policëve – por sërish ua kthen shpinën e ata e qëllojnë.

Lexo po ashtu Afro-amerikani vritet nga policia në Atlanta, shkarkohet zyrtari policor – jep dorëheqje drejtoresha e policisë

“Ai ka arritur të arratiset nga policia në një distancë prej mbi 15 metra kur ia drejtoi policëve elektroshokun”, ka bërë të ditur Vik Reynolds, drejtor i Zyrës së Hetimeve në Geogria.

Një nga dëshmitarët ka deklaruar për CNN, se Brooks po merrte ende frymë derisa po qëndronte i shtrirë në tokë. Ai është dërguar me urgjencë në spital, ku edhe ndërroi jetë. E njëri nga policët raportohet se ka pësuar lëndime të lehta trupore.

Megjithatë kjo ngjarje ka nxitur debat në rrjetet sociale, nëse polici ka reaguar në vetëmbrojtje apo mund të ketë pasur opsione tjera?

Në anën tjetër kryetarja e Atlantas ka dënuar sjelljet e policisë, kurse autori i vrasjes është shkarkuar e kolegu i tij është transferuar në departamentin e policisë së trafikut.

Avokati i familjes së Brooks ka thënë se elektroshoku nuk konsiderohet armë vdekjeprurëse.

“Polici ka pasur opsione tjera, e jo ta qëlloj në shpinë”, ka shtuar ai për mediat lokale.

 

 

Exit mobile version