Gjykata Kushtetuese me anë të një aktgjykimi ka rrëzuar Qeverinë Hoti, ku dhe zyrtarisht Kosova shkon drejt zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, me çka e ka gjetur vendin në këtë fundvit pa miratimin e Projektbuxhetit për vitin 2021.
Lidhur me këtë, Kuvendi i Kosovës zyrtarisht ka njoftuar se, të hënën e 28 dhjetorit do të mbahet seanca e jashtëzakonshme për votimin e tij, shkruan Telegrafi.
Edhe vetë kryeministri në detyrë i Kosovës, Avdullah Hoti, Bashkimi Evropian dhe komuniteti i biznesit kanë kërkuar që ky buxhet të votohet para mbajtjes së zgjedhje.
Sipas projektimeve, buxheti për vitin 2021 pritet të jetë mbi 2 miliardë e 412 milionë euro.
Gjithsej të hyrat buxhetore do të janë 1 miliard e 886 milionë euro, nga të cilat 1.66 miliard euro do të janë nga të hyrat tatimore, ku pjesën më të madhe të tyre e bëjnë tatimet indirekte me 1.41 miliard euro.
Nga të hyrat, prej Administratës Tatimore priten të grumbullohen 509 milionë euro, kurse nga Dogana e Kosovës do të inkasohen 1 miliard e 169 milionë euro.
Prej gjithsej shpenzimet buxhetore, 643 milionë euro janë për subvencione dhe transfere, 625 milionë euro janë paga dhe shtesa, rreth 311 milionë euro janë për mallra dhe shërbime, kurse 34 milionë euro janë rezerva. Në këtë pjesë të shpenzimeve, 182.4 milionë euro janë paraparë të shpenzohen në kuadër të Programit të Rimëkëmbjes Ekonomike.
Parashikimet fiskale për vitin 2021 tregojnë se investimet do të jenë 616 milionë euro, ku pjesa më e madhe do të bëhet nga buxheti i rregullt, shkruan Telegrafi.
Nga kufiri i buxhetit 2021, Presidenca, Kuvendi dhe Kryeministria për këtë vit do të kenë 25 milionë euro. Për Presidencën janë planifikuar të harxhohen 3.15 milionë euro, për Kuvendin janë planifikuar 9.3 milionë euro, kurse për Zyrën e Kryeministrit 12.6 milionë euro.
Për sa i përket ministrive, buxhet më të madh pritet ta ketë ajo e Punës dhe Mirëqenies Sociale, ndjekur nga ajo e Infrastrukturës dhe e Financave.
Për Ministrinë e Punë dhe Mirëqenies Sociale janë planifikuar të harxhohen 510 milionë e 852 mijë euro, nga të cilat 489 milionë euro janë për subvencione dhe transfere, 5.12 milionë euro janë për paga dhe mëditje dhe 1.62 janë për mallra dhe Shërbime.
Në Ministrinë e Infrastrukturës janë planifikuar të harxhohen 221 milionë e 695 mijë euro, nga të cilat 205 milionë euro janë për investime kapitale, rreth 13 milionë euro janë për mallra dhe shërbime dhe 2 milionë euro për paga dhe mëditje.
Sipas buxhetit, për Ministrinë e Financave janë ndarë 221 milionë e 154 mijë euro, 128 milionë euro për subvencione dhe transfere, 33.4 milionë euro janë për paga dhe mëditje, 32.8 milionë euro për shpenzime kapitale dhe rreth 23 milionë euro janë për mallra dhe shërbime.
Ministria e Punëve të Brendshme parashikon të shpenzoj 142 milionë e 286 mijë euro, ku rreth 77 milionë euro janë për paga dhe mëditje, 29.6 milionë euro janë për shpenzime kapitale dhe rreth 29 milionë euro janë paraparë për mallra dhe shërbime.
Për Ministrinë e Ekonomisë dhe Ambientit janë ndarë 82.9 milionë euro, për atë të Mbrojtjes janë 67.3 milionë euro, për atë të Arsimit janë 64 milionë euro, për atë të Bujqësisë janë 61 milionë euro, atë të Shëndetësisë janë 57 milionë euro, atë të Kulturës janë rreth 35 milionë euro, atë të Punëve të Jashtme janë rreth 30 milionë euro, për atë të Drejtësisë janë paraparë të ndahen 28.5 milionë euro, për atë të Tregtisë janë 8.8 milionë euro, për atë të Komuniteteve janë rreth 5.5 milionë euro, për atë të Pushtetit Lokal janë 4.6 milionë euro dhe atë të Zhvillimit Rajonal janë paraparë të ndahen rreth 3 milionë euro.
Rreth 30 për qind e buxhetit të ministrive e përbëjnë shpenzimet kapitale, kurse pjesa tjetër përbëhet nga shpenzimet rrjedhëse, sikurse, subvencionet dhe transferet, paga dhe mëditje, mallra dhe shërbime, shpenzime komunale dhe rezerva, shkruan Telegrafi.
Krahasuar me buxhetin e rishikuar të vitit 2020, kategoria e pagave dhe mëditjeve do të kenë rritje mbi 10 milionë euro, ndërsa shpenzimet komunale do të rriten me mbi 3 milionë euro. Kurse, kategoritë tjera buxhetore kanë pësuar rënie. Në kategorinë subvencione dhe transfere janë ndarë 101 milionë euro më pak, mallrat dhe shërbimet parashihen të jenë për 11 milionë euro më të ulëta dhe shpenzimet
kapitale parashihet të jenë mbi 83 milionë euro më të ulëta.
Në vitin 2021, buxheti për 38 komunat do të jetë mbi 550 milionë euro. Komuna me buxhetin më të lartë, do të jetë ajo e Prishtinës me rreth 86 milionë euro, Parteshi do ta ketë buxhetin më të ulët, pra me vetëm 1 milionë euro.
Qeveria e kishte bartur Projektligjin për Buxhetin 2021 në Kuvend, por nuk është votuar ende. E shpërndarja e Kuvendit rrezikon ta lërë Kosovën edhe pa buxhet në muajin mars. Në momentin kur shpërndahet Kuvendi ose puna e tij pezullohet, të gjitha nismat ligjore u kthehen sponsoruesve përfshirë edhe Projektligjin për Buxhetin dhe marrëveshjet financiare ndërkombëtare.
Sipas Ligjit për Menaxhimin e Financave Publike dhe Përgjegjësitë, në mungesë të një Ligji për Ndarjet Buxhetore do të vlenin vetëm për dy muajt e parë të vitit 2021 nëse zgjedhjet e përgjithshme për deputetët e Kuvendit janë mbajtur më pak se katër muaj para fillimit të vitit përkatës fiskal duke siguruar një ndarje buxhetore për çdo organizatë buxhetore, që është e barabartë me 16.67 për qind të ndarjes buxhetore nga Ligji i Ndarjeve Buxhetore të vitit 2020.
Pas kësaj periudhe vetëm Kuvendi, me anë të një vendimi, mund të autorizojë zgjatjen e Ligjit për Ndarjet Buxhetore të vitit të kaluar fiskal edhe për muajin mars.
Ligji për Ndarjet Buxhetore i vitit të kaluar fiskal, në asnjë rast, nuk mund të zgjatet për më shumë se tre muaj të vitit të ardhshëm fiskal. /Telegrafi/