Telegrafi

Detajet e fundit nga Haga: Haradinaj e Krasniqi pritet të intervistohen nga Specialja nesër në orën 9:30

Drejtori i RTV Dukagjinit, Ermal Panduri së bashku me drejtorin e Informacionit, Fidan Rama dhe penalistin e “Debat Plus”, Astrit Gashi kanë sjellë të rejat më të fundit nga Haga për intervistimin e ish drejtuesve të UÇK-së para prokurorëve të Dhomave të Specializuara.

Fidan Rama ka thënë se Jakup Krasniqi ka udhëtuar drejt Hagës së bashku me bashkëpartiakun e tij Bilall Sherifi me një linjë të zakonshme dhe gjithçka ka shkuar mirë dhe sipas planeve, raporton Telegrafi.

Rama thotë se ka pasur një bashkëbisedim me Jakup Krasniqin dhe i njëjti është dukur i relaksuar. Krasniqi, sipas Ramës, nesër do të sqarojë nëse do të flasë apo do të mbrohet në heshtje në Hagë.

Nga ana tjetër Ermal Panduri thotë se gjatë bisedës me Jakup Krasniqin, ky i fundit është ankuar se “udhëtimi në Hagë megjithatë është një maltretim”.

Drejtori i Informacionit në RTV Dukagjini thotë se është konfirmuar tashmë se Haradinaj ka udhëtuar drejt Hagës me aeroplanin privat të zëvendëskryeministrit Behgjet Pacolli pas problemeve që ka pasur avioni që kishte në plan të udhëtonte.

Rama ka thënë se në bazë të burimeve të RTV Dukagjinit, pritet që Krasniqi dhe Haradinaj të intervistohen nga rreth orës 9:30 të mëngjesit.

Ermal Panduri thotë se është intervistuar tashmë Shukri Buja dhe intervistomi ka zgjatur  1 orë e 30 minuta./Telegrafi/