Në disa faqe dokumente prokuroria e Pejës përshkruhen rrethanat në të cilat u plagos për vdekje Sevdije Berisha dhe e reja e saj shtatzënë.
Dokumenti flet për plagosjen mizore të dy grave, mëngjesin e 17 nëntorit. Sevdije Berisha nga Peja vdiq sot në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës pas plagëve të marra nga sulmi që i bëri bashkëshorti i saj, Isen Berisha.
Sipas këtij dokumenti, Berisha kishte goditur gruan e tij me sëpatë më datën 17, gjatë kohës kur ajo po flinte.
Për motivet që dyshohet se janë raportet e këqija me bashkëshorten, ai kishte goditur atë disa herë në kokë dhe pjesë të tjera të trupit.
Gjithnjë sipas Prokurorisë, Berisha kishte sulmuar edhe bashkëshorten e djalit të tij të quajtur Arlinda, e cila kishte bërtitur për ndihmë pas sulmit fillestar ndaj vjehrrës së saj.
Arlinda, e cila është shtatzënë, u godit në kokë dhe në krahun e majtë me sëpatë dhe e njëjta po vazhdon të trajtohet në Spitalin Regjional të Pejës.
Prokuroria e Pejës më 17.11.2017 ka nisur hetimet ndaj Berishës për veprën vrasje e rëndë e mbetur në tentativë.
Nuk dihet se si do të rrjedhin hetimet tanimë që Sevdije Berisha ka ndërruar jetë si pasojë e plagëve.
Në anën tjetër, Isen Berisha është i hetuar edhe për armëmbajtje pa leje pasi sipas prokurorisë atij i është gjetur një pushkë gjysmë automatike. /KALLXO.com/