Telegrafi

Detaje të vrasjes së tre policëve në Francë, sulmuesi gjendet i vdekur – ministri i Punëve të Brendshme deklarohet për sulmin e tmerrshëm

Burri i dyshuar për vrasjen e tre policëve në pjesën qendrore të Francës, është gjetur i vdekur ka bërë të ditur në Twitter, ministri i Brendshëm francez, Gerald Darmanin.

Tre policët janë vrarë dhe një tjetër është plagosur gjatë të shtënave që kanë ndodhur brenda një shtëpie në një fshat, ku policët reaguan pas telefonatës së marrë se mund të ketë dhunë në familje – përkatësisht ndaj një gruaje, ka bërë të ditur policia franceze, transmeton Telegrafi.

Sipas mediave franceze, kur policët mbërritën në vendin e ngjarjes, 48-vjeçari kishte shtënë në drejtim të tyre – madje i ka vënë zjarrin shtëpisë.

E gruaja që besohet të jetë viktimës e dhunës në familje, kishte arritur të ngjitet në kulm të shtëpisë – e policia ka arritur më pas ta shpëtojë.

Kryetari i qytetit më të afërt Sen Zhist Francois Shotar, ka thënë se forcat speciale kanë dalë në rrugë menjëherë pas të shtënave në fshat.

Shotar ka theksuar se policia ishte telefonuar për shkak të dhunës në familje në një fshat në pjesën qendrore të Francës, rreth 180 kilometra larg qytetit të Lionit.

E Ministri i Punëve të Brendshme ka bërë të ditur se policët e vrarë në incident ishin të moshës 21, 37 dhe 45-vjeç, ndërkaq polici i katërt është plagosur. /Telegrafi/