Telegrafi

Detaje të tjera rreth sulmuesit që la 39 persona të vdekur në Turqi

Personi i dyshuar për vrasjen e 39 njerëzve në një sulm në klubin e natës Reina në Stamboll, në prag të Vitit të Ri ka zgjedhur rastësisht vendin e sulmit.

Sipas mediave lokale, fillimisht Abdulgadir Masharipov tha se i ashtuquajturi Shteti Islamik e kishte urdhëruar që të sulmojë një zonë në sheshin Taksim.

Ai u detyrua të ndryshojë objektivin e tij për shkak të sigurisë në rajon, sipas gazetës Hurriyet.

Ai u kap nga policia turke të hënën.

Abdulgadir Masharipov tha se udhëzimet për sulmin erdhën nga Raqqa e Sirisë.

“Unë kam ardhur në Taksim në prag të Vitit të Ri, por masat e sigurisë ishin të rrepta. Nuk ishte e mundur për të kryer sulmin”, citohet të ketë thënë ai.

“Jam urdhëruar që të gjej një objektiv të ri në këtë zonë. Reina dukej i përshtatshëm për sulmin. Nuk dukej se kishte masa të larta të sigurisë”, shtoi ai.

BBC nuk ka qenë në gjendje të verifikojë raportin në Hurriyet, e cila nuk ka shpjeguar se si arriti të marrë intervistën e sulmuesit në polici, transmeton KP.