Site icon Telegrafi

Detaje të sulmit ndaj Muzafer Ejupit: Ai e humbi vetëdijen pas goditjes me shufër

Muzafer Ejupi (Foto: net.hr)

Një ditë pasi në mediat kroate u shpërnda lajmi për incidentin, ku ishte përfshirë Muzafer Ejupi, policia ka dhënë disa detaje të sulmit.

Fillimisht një mashkull 53 vjeçar e kishte akuzuar lojtarin shqiptar se e ka sulmuar së bashku me një të afërm të tij (kunati), mirëpo më pas është mësuar se sulmuesi i Slaven Belupos, në fakt, ka qenë viktimë.

Policia kroate ka dalë me deklaratë duke bërë të ditur se incidenti ka ndodhur të mërkurën (25 shtator) në një vendparkim, ndërsa e gjitha ka nisur pas një përleshjeje verbale.

Lexo po ashtu Futbollisti shqiptar, Muzafer Ejupi sulmohet me shufër metalike në Kroaci

Sipas raportit të policisë, një 53-vjeçar e ka goditur me shufër metalike në kokë Ejupin dhe pastaj shoqëruesin e tij. Ky i fundit ka arritur t’ia rrëmbejë shufrën dhe në vetëmbrojtje i ka shkaktuar sulmuesit lëndime trupore. Ky i fundit ka pësuar lëndime të rënda, ndërsa edhe futbollisti dhe shoqëruesi i tij nuk kanë kaluar më lehtë.

Pas goditjes, Ejupi e kishte humbur vetëdijen, ka pësuar lëndim në sy dhe nga ënjtja nuk njihej se është ai. Sulmuesi do të mungojë në ndeshjen kundër Osijekut, ndërsa nuk dihet kohëzgjatja e mungesë së tij.

Ndaj personit që e ka sulmuar 31-vjeçarin ka nisur një hetim, ndërsa shoqëruesi i futbollistit nga Tetova pritet të dënohet me gjobë. /Telegrafi/

Exit mobile version