Bleranda Curri, vajza e ish-pjesëtarit të UÇK-së, Bedri Curri, vdiq mbrëmë pasi u godit nga një veturë në Fushë Kosovë, e cila hyri në vendkalimin për këmbësorë në dritën e kuqe të semaforit.
Periskopi merr vesh nga dëshmitarë të vendit të ngjarjes, të cilët kanë kërkuar të mbeten anonim, se Bleranda po kalonte rrugën derisa në vesh po mbante kufjet – dhe me siguri e kishte më të vështirë të parashoh rrezikun, përkundër faktit se rrugën po e kalonte duke respektuar shenjat e komunikacionit.
Po ashtu, sipas dëshmitarëve, rasti është vetëm aksident trafiku – dhe sipas tyre nuk ka asgjë të dyshimtë.
Tashmë edhe familja e Blerandës e ka falur drejtuesin e makinës që mori jetën e vajzës së saj, duke llogaritur në atë se fatkeqësia erdhi si pasojë e aksidentit.
Bleranda ishte e bija e Bedri Currit, ish-pjesëtar i UÇK-së, që është vrarë rreth një vit më parë.
Vrasësit e tij nuk janë zbuluar ende, përderisa janë publikuar shkrime nëpër media se Curri ishte një ndër dëshmitarët e Gjykatës Speciale.