Site icon Telegrafi

Detaje të reja për vrasësin shqiptar në Angli, që i vodhi identitetin pejanit

Ndjekja për vrasësin e dyfishtë, mbrëmë ka kaluar në Shqipëri pasi policia britanike ka marrë dëshmi të reja nga e përditshmja britanike “The Sun”.

Azilkërkuesi Ali Qazimaj, 42-vjeç, është i dyshuari kryesor për vrasjen e Peter Stuart, 75-vjeç, i gjetur i therur për vdekje, dhe gruaja e tij e zhdukur dhe që supozohet të jetë e vdekur, Sylvia, 69-vjeçe, transmeton Koha.net.

Qazimaj dihet se ka pasaportë britanike pasi kishte deklaruar rrejshëm se ka ikur nga lufta në Kosovë kur kishte shkuar në Britani 15 vjet më parë.

Gazeta “The Sun” i ka dorëzuar dje policisë në Shqipëri një copë letre me një numër telefoni të Shqipërisë që është i lidhur me të dyshuarin.

Ai është gjetur nga një mik i tiji dhe përmban detaje të një parcele toke afër aeroportit të Tiranës, tokë e cila është në shitje.

Një burim i lartë policor në Shqipëri ka thënë për “The Sun”: “Ju falënderojmë për bashkëpunimin. Do të jetë informatë e vlefshme për hetimin tonë”.

“Do të punojmë sa më shumë që të jetë e mundur që të ndihmojmë policinë britanike. Kjo informatë mund të jetë çelës për ta zbuluar rastin. Ne besojmë fuqishëm se ky person nuk është kosovar, por shqiptar, dhe ka lidhje me Shqipërinë”, ka thënë ky burim për “The Sun”.

Ky burim i ka thënë të përditshmes britanike se Qazimaj ka udhëtuar në Shqipëri më 2013 duke përdorur një pasaportë false të Britanisë. Ai besohet se ka lidhje me lagjen kriminale të Kazamit, Tiranë, dhe policia ka këshilluar “The Sun” të mos bëjë më hetime për “hir të sigurisë suaj”.

Javën e kaluar, “The Sun” zbuloi se si Qazimaj i kishte vjedhur identitetin e Ali Qazimajt të vërtetë nga Kosova, i cili u arrestuar dhe u mor në pyetje nga policia para se të lirohej.

Exit mobile version