Telegrafi

Detaje që tregojnë se si Elon Musk e kaloi ditën e tij të parë në selinë e Twitter

Më në fund po bëhet e qartë nëse Elon Musk do të jetë pronari i Twitter.

Të mërkurën në mëngjes, Musk hyri në selinë e kompanisë së mediave sociale në San Francisko, të cilën ai e ka ndjekur edhe nga jashtë për pjesën më të madhe të këtij viti.

Në një video të postuar, Musk shihej brenda selisë, derisa në duar mbante një lavaman.

Të premten, miliarderi pritet të mbyllë blerjen e tij prej 44 miliardë dollarësh, duke vendosur Twitter në një kurs rrënjësor të ri që ka të ngjarë të përfshijë shkurtime masive të vendeve të punës, një mal me borxhe dhe një qëllim ambicioz për ta kthyer kompaninë në një “super aplikacion”.

Siç vënë në pah mediat e huaja, përcjell Telegrafi, punonjësit e Twitter kanë qenë “në ethe” për muaj të tërë për shkak të kërcënimit të rrezikshëm për të humbur punën e tyre.

Shefi i marketingut në Twitter, Leslie Berland dërgoi një email duke njoftuar punonjësit se Musk do të ishte në zyrë gjatë javës, ka thënë një burim për Business Insider.

“Elon është në zyrën e SF këtë javë duke u takuar me njerëzit, duke ecur nëpër salla dhe duke vazhduar të zhytet në punën e rëndësishme që bëni të gjithë”, shkroi ajo. “Nëse jeni në SF dhe e shihni atë përreth, përshëndetni! Për të gjithë të tjerët, ky është vetëm fillimi i shumë takimeve dhe bisedave me Elon, dhe të gjithë do të dëgjoni drejtpërdrejt nga ai të premten”.

Musk gjithashtu u shfaq në një kafene brenda ndërtesës së selisë së Twitter-it, së bashku me vogëlushin e tij, X Æ A-12, nga marrëdhënia e tij me këngëtaren Grimes, sipas një punonjësi që ishte dëshmitar i episodit.

Musk porositi një kafe dhe më pas u përshëndet nga rreth 40 persona. Ai foli për rreth një orë. Në një moment, ai u pyet për një raport të Washington Post se ai po planifikonte të shkurtonte 75% të stafit të Twitter.

Musk u përgjigj se nuk e dinte se nga vinte ai numër, sipas punonjësit.

Por një zëdhënës i Twitter nuk iu përgjigj një kërkese për koment.

Një shkrim i Washington Post shpjegoi se Musk u kishte thënë investitorëve të mundshëm në marrëveshje se ai synonte të zvogëlonte numrin e punonjësve të Twitter deri në 75%, gjë që do ta linte atë me afërsisht 2,000 njerëz kundrejt rreth 8,000 tani.

Sidoqoftë, punonjësit ka të ngjarë të marrin më shumë përgjigje të premten, kur Musk do të flasë me fuqinë e tij të re punëtore. /Telegrafi/