Makina në të cilën u qëllua Nelgert Pata ka nxjerrë zbuluar dëshminë e Ari Alinanit, që ditën e atentatit gjendej në drejtimin e saj.
38 –vjeçari nga Delvina ka deklaruar para hetuesve se Patën e njihte vetëm prej 3 ditësh, në kohën kur ai ishte zhvendosur nga Tirana në Fier.
Por, hetimet zbuluan se makinën tip ‘Volkswagen’, Alinanit ia kishte dhuruar 34 – vjeçari nga Memaliaj.
Ai e kishte blerë atë disa kohë më parë dhe ia kishte dhënë mikut të tij.
Kjo nuk është prova e vetme e njohjes mes tyre. Edhe tabulatet telefonike kanë vërtetuar komunikimin e vazhdueshëm mes tyre.
Hetuesit dyshojnë se Ari Alinani ka informacione mbi konfliktet e Patës dhe se mund të ketë të dhëna të vlefshme edhe për autorët e atenatit, apo porositësit e tij.
Prokurorët duken të bindur se ai ka dijeni edhe për arsyet pse viktima po qëndronte në Fier ditët e fundit të jetës së tij.
Megjithatë, Alinani nuk ka pranuar të flasë. Por nisur nga këto prova, ai është arrestuar për kryerjen e veprimeve që pengojnë zbardhjen e të vërtetës.
Nelgert Pata ishte zhvendosur prej mbrëmjes së të enjtes në Fier. Në Tiranë, të enjten ai kishte parë disa njerëz të dyshimtë pranë lokalit ku po qëndonte, në zonën e ish – parkut të autobusëve. Ky fakt e ka bërë atë që të largohet për t’u strehuar në Fier. Por sipas Prokurorise, personat qe e eliminuan, e kane ndjekur ate edhe gjate spostimit per ne Fier, ku kane organizuar edhe atentatin.
Policia ka marrë në pyetje disa persona. Pista kryesore e hetimeve është ajo e konflikteve me grupin e Elton Çiçës, të vrarë më 1 Maj të këtij viti në një lokal në zonën e ish – Bllokut. Disa të afërm të tij mësohet se janë pyetur gjithashtu.
Nelgert Pata dyshohet se kishte marrë pjesë në organizimin e vrasjes së Çiçës.
Në makinën e tij të parkuar në hotelin ku qëndroi ditët e fundit të jetës në Fier, u gjetën dy kallashnikovë dhe një bidon me benzinë, çka i ka bërë hetuesit të dyshojnë se ai po përgatiste një tjetër atentat./Tv Klan/