48-vjeçari Lulzim Visha, i cili u gjet i pajetë në një makinë mëngjesin e kësaj të premteje në Zall Mner në Tiranë, i vrarë me armë zjarri, dyshohet se ka pasur hasmëri me persona të tjerë.
Burime nga A2 CNN thonë se viktima ka qenë person që ka pasur probleme dhe pista e hasmërisë duket si më e mundshmja për hetuesit. Para disa viteve, vëllai i Lulzim Vishës ka vrarë një tjetër person.
Visha u gjet pa shenja jete brenda automjetit në rrugën “Shën Stefani”, në Zall Mner rreth orës 7:40 këtë mëngjes. Policia tha se po punon për identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve.
Mësohet se ai punonte postier dhe është gjetur i vrarë brenda makinës së kompanisë së postës private ku punonte. Ngjarja është lajmëruar nga një banor i zonës i cili ka telefonuar policinë. Grupi hetimor ende nuk e di orën me saktësi kur ka ndodhur krimi.
Dyshohet që 48-vjeçari të jetë nxjerë në pritë. Nga dëshmitë paraprake që janë marë në vendngjarje, banorët kanë thënë se nuk kanë dëgjuar të shtëna, kjo ka ngritur dyshimet se mund të jetë vrarë me silenciator. Në makinë janë gjetur mbi 12 gëzhoja pistolete.