Site icon Telegrafi

Detaje nga vjedhja e ilaçeve në AKPM

Sasi të mëdha të ilaçeve ishin vjedhur në AKPM derisa ato ishin vendosur në objektin e këtij institucioni pasi ishin konfiskuar dhe pasi ishin futur ilegalisht në treg. Por, besohet se ato u rikthyen në tregun e zi, pasi u vodhën në AKPM.

Kryeshefi i Agjencisë, Jeton Shala, për këtë do të ulet në bankën e të akuzuarit, shkruan ‘Zëri’.

Derisa zyrtarë të Agjencisë së Kosovës për Produkte Medicinale janë larguar nga puna vetëm për shkakun se ndaj tyre është ngritur aktakuzë, një gjë e tillë nuk po ndodh edhe me kryeshefin e këtij institucioni, Jeton Shalën.

Ky i fundit po vazhdon të punojë në krye të Agjencisë, ndonëse që nga fundi i muajit shkurt ndaj tij është ngritur aktakuzë për “Keqpërdorim të detyrës zyrtare”.

Ministri i Shëndetësisë së Kosovës, Imet Rrahmani, me propozimin e të cilit është zgjedhur Shala kryeshef i AKPM-së nga Qeveria, ka thënë se ende nuk kanë asnjë njoftim zyrtar nga Prokuroria e Shtetit lidhur me aktakuzën ndaj Jeton Shalës, kryeshef i Agjencisë së Kosovës për Produkte dhe Pajisje Medicinale.

Megjithatë, zëdhënësi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Ekrem Lutfiu, e ka konfirmuar lajmin për “Zërin” se ndaj Shalës është ngritur aktakuzë.

Sipas tij, Prokuroria Themelore në Prishtinë, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit Jeton Shala, më 29 shkurt 2016, për veprën penale “Keqpërdorim i detyrës zyrtare”, nga Neni 422 paragrafi 1 të KPK-së. /Zëri/

Exit mobile version