Këngëtarja amerikane, Demi Lovato, në javën e kaluar është mbidozuar me opiate të panjohura.
25-vjeçarja u dërgua me urgjencë në një spital në Los Angeles, ku është duke u mjekuar.
Një natë para incidentit, ajo kishte qenë në një ndejë, ndërsa në orët e hershme të mëngjesit është mbidozuar në shtëpi.
Atë e ka gjetur truproja e saj pa vetëdije dhe në atë moment kishte menduar se këngëtarja nuk merrte frymë.
Asistentja e saj nga paniku kishte nisur të bërtasë: “Ka vdekur, ka vdekur”, kurse miqtë e kanë thirrur menjëherë ndihmën e shpejtë.
Në jastëkun e këngëtares kishte pasur gjurmë gjaku dhe të vjella. Truproja kishte filluar t’ia jepte ndihmën e parë derisa kanë arritur mjekët, të cilët e kanë dërguar në spital.
Kur kishte ardhur në vete, Demi nuk ka dashur të pranojë se çfarë droge ka marrë dhe kjo gjë ia ka vështirësuar rikuperimin, ndërsa ka pasur edhe ethe dhe temperaturë.
Miqtë e afërt e kanë këshilluar Lovaton që të shkojë në rehabilitim, përndryshe do të mbetet pa bashkëpunëtorë dhe pa miq.
Këngëtarja nuk kishte përdorur substanca narkotike për gjashtë vite, mirëpo tash iu është kthyer sërish.
“Shpeshherë kam dashur t’u kthehem shprehive të vjetra, por i jam lutur Zotit të më çlirojë nga ato fiksime”.
“Sot jam krenare me veten, mirëpo kurrë nuk do t’ia kisha dalë pa ndihmën e familjes, miqve dhe juve fansave, sepse keni besuar tek unë dhe keni qenë mbështetja ime rrugës drejt shërimit”, kishte shkruar Demi në vitin e kaluar në rrjetet sociale.
Për më shumë, ajo e lansoi edhe këngën “Sober”, përmes të cilës i kërkonte falje familjes dhe fansave. /Telegrafi/