Aktakuza voluminoze e Prokurorisë Speciale të Kosovës përpos që përshkruan në detaje strukturën, përbërjen, planet dhe rregullimin e organizatës “Syri i Popullit”, përmban edhe pjesën ku organizata u drejtohet me kërkesa shteteve mike të popullit shqiptar.
Në pjesën e aktakuzës ku përshkruhet ekzaminimi i provave të gjetura në 4 USB të konfiskuara nga Murat Jashari përshkruhen kërkesat që “Syri i Popullit” u ka drejtuar shërbimeve inteligjente të shteteve mikeve të populli shqiptar si ShBA-së, Anglisë e Gjermanisë.
Portali Kallxo.com sjell kërkesat që “Syri i Popullit” kishte për disa shërbime të inteligjencës të vendeve mike të popullit shqiptar.
Kërkesa e parë sipas aktakuzës është që “Syri i Popullit” të njihej se ishte në të mirë të popullit shqiptar dhe në të mirë të tyre dhe të pranohej bashkimi i Kosovës me Shqipërinë.
“Syri i Popullit”, sipas aktakuzës, kishte edhe një kërkesë që kishte të bënte me Shqipërinë.
“Enver Hoxha për popullin shqiptar është hero kombëtar. Ta njohin këtë hero të shqiptarëve”, përshkruan aktakuza kërkesën e “Syri të Popullit”.
Kërkesa tjetër që pason sipas aktakuzës është ajo që “Syrit të Popullit” t’i jepeshin mjete për të përgjuar klerikët radikalë.
Siç përshkruhet në aktakuzë, “Syri i Popullit” nuk e ka harruar edhe veten. Sipas aktakuzës është kërkuar t’i jepen mjete financiare për mbarëvajtjen e punëve të lëvizjes “Syri i Populli”, si dhe po ashtu t’i jepej logjistikë organizatës.
Kërkesa e fundit, por jo më e rëndësishmja që përshkruan aktakuza, ishte që shtetet mike për çdo vit (për 15 vjet rresht) të pranonin nga 36 studentë për çdo sektor: shërbim informative, civil dhe ushtarak, oficer dhe oficere, menaxhim të shëndetësisë, menaxhim të arsimit, ekonomi, financa, pushtet lokal, arkitekturë, inxhinieri etj.
I akuzuari Murat Jashari është në trajtim psikiatrik, ndërsa të tjerët nuk e kanë pranuar fajësinë.