Me urdhër të prokurorit publik nga Prokuroria Themelore Publike Kërçovë janë mbledhur gjurmë nga vendi i aksidentit që ka ndodhur dje në rrugën Kërçovë-Makedonski Brod në të cilën e ka humbur jetën një foshnje tremuajshe. Do të bëhet ekspertiza e tyre, si dhe ekspertiza teknike në trafik për vërtetimin e rrethanave për ngjarjen, kumtoi PPRM-ja.
Aksidenti ka ndodhur dje rreth orës 17:00 në rrugën magjistrale Kërçovë-Makedonski Brod në të cilën e ka humbur jetën një foshnje tremuajshe, ndërsa pesë persona kanë marë lëndime të rënda.
Menjëherë pas aksidentit, prokurori publik në kujdestari nga PTHP Kërçovë dhe ekipi mbikëqyrës nga MPB-ja kanë kryer inspektim në vendin e ngjarjes.
Siç thuhet në kumtesën e Prokurorisë, sipas informacioneve fillestare, aksidenti ka ndodhur kur shoferi i veturës “Golf’ me targa të Ohrit që ka lëvizur nga Makedonski Brod drejt Kërçovës, ka tentuar të tejkalojë automjetin transportues – me tërheqje “TAV” me targa të Kërçovës. Gjatë tejkalimit, vetura “Golf” është përplasur në automjetin motorik “Alfa Romeo” me targa të Sllovenisë, që vinte nga ana e kundërt.
Në vendin e ngjarjes nga lëndimet e marra ka ndërruar jetë foshnja tremuajshe. Udhëtarët e dy automjeteve, me lëndime të rënda trupore janë transferuar në institucionet mjekësore për dhënien e ndihmës mjekësore./Telegrafi/