Videoja muzikore e hitit botëror, “Despacito”, është klipi më i shikuar në histori të YouTube me mbi tre miliardë shikime në faqen e shpërndarjes së videove.
Bashkëpunimi i Luis Fonsi dhe Daddy Yankee ka tejkaluar duetin e Wiz Khalifa dhe Charlie Puth, “See You Again”, që tash renditet në vend të dytë.
Në 12 javët e fundit, “Despacito”, ka qëndruar në krye të ‘Billboard Hot 100’ dhe është pakonkurrencë hiti i këtij viti.
Në muajin maj, kjo këngë u ngjit në krye të kësaj top-liste duke u bërë kënga e parë në spanjisht që merrte kreun që prej hitit “Macarena” nga viti 1996.
“See You Again” (e publikuar në prill 2015) mori kryesimin si klipi më i shikuar në YouTube në muajin korrik duke tejkaluar liderin e deriatëhershëm, Psy, me hitin botëror, “Gangnam Style” (e publikuar në korrik 2012).
“Despacito” është lansuar në YouTube më 12 janar 2017 dhe aktualisht (kur po e postojmë lajmin) numëron mbi tre miliardë e 14 milionë shikime dhe nuk ka dyshim se do t’i shmangë dukshëm konkurrentët aktualë. /Telegrafi/