Ministria e Drejtësisë të dëmtuarit në rastin “Sopoti” i ka udhëzuar që të drejtat e tyre t’i kërkojnë përmes gjykatave.
Udhëheqja e kësaj ministrie Renata Deskoska, sot tha se në pajtim me procedurat ata që kërkojnë dëmshpërblim, duhet të kenë vendim gjyqësor se janë burgosur padrejtësisht, përcjell Telegrafi Maqedoni.
“Në Ministrinë e Drejtësisë nuk ka refuzim të kërkesave të tyre. Sipas procedurave, ata që kërkojnë dëmshpërblim, duhet të kenë vendim gjyqësor se kanë qenë të burgosur padrejtësisht. Në atë rast ata drejtohen tek Ministria e Drejtësisë për marrëveshje”, tha Renata Deskoska, duke u përgjigjur në pyetjet e gazetarëve për refuzimin e kërkesës për dëmshpërblim të sopotasve.
Ajo tha se duke pasur parasysh se nuk ka kritere për të arritur marrëveshje për dëmshpërblim, ish të dënuarit për rastin “Sopoti” i drejton për kërkim të të drejtës nëpërmjet gjykatave.
Përndryshe, rasti “Sopoti” është nga viti 2003 kur dy ushtarë polak dhe një shtetas i Maqedonisë humbën jetën, pasi makina e NATO-s kishte shkelur në minë në rrugën Sushevë-Sopot./Telegrafi/