Në Kuvendin e Maqedonisë, në suaza të Komisionit për arsim, shkencë dhe sport, u mbajt debat publik për Strategjinë gjithëpërfshirëse për arsimin 2018-2025.
Ministrja e arsimit dhe shkencës, Renata Deskoska tha se qëllimi i këtij debati publik është arritja deri te zgjidhjet më të mira dhe politika më cilësore, si dhe të definohet dobësitë e propozim-strategjisë.
“Ky debat publik do të kontribuojë në rritjen e vlerave të strategjisë dhe do të zgjerojë përkrahjen që do të gëzojë ky dokument”, theksoi Deskoska.
Në lidhje me përmbajtjen e strategjisë, Deskoska sqaroi se ajo përmban gjashtë shtylla kryesore të sistemit arsimor, gjegjësisht arsimin parashkollor, fillor, të mesëm, profesional, arsimin e lartë dhe hulumtimin si dhe arsimi për të rriturit.
“Në katër shtyllat e para krahas komponentës arsimore, duhet të përforcohet edhe ajo edukative. Në kuadër të elementit arsimor duhet të rivlerësohen programet që aplikohen dhe përfaqësimi i njohurive dhe aftësive të rëndësishme”, tha Deskoska.
Ajo shtoi se vizioni i Qeverisë për reformat në arsim është për një sistem arsimor gjithëpërfshirës, inkluziv dhe të integruar që përqëndrohet te nxënësi dhe te secili që ka interes të shtojë njohuritë e veta dhe kjo duhet të bazohet në programe moderne që do të mundësojnë dituri bazuar në nevojat e tregut të punës./Telegrafi/