“Gjitha mesazhet që i kemi marrë nga BE-ja janë që PSP duhet të vazhdojë të punojë si Prokurori e veçantë”, tha sot ministrja e Drejtësisë, Renata Deskoska, para takimit me përfaqësuesit e OBRM-PDUKM-së, të cilët kanë dorëzuar 65 amendamente për Ligjin për Prokurorinë Speciale.
“Edhe deklaratat e sotme të ambasadorit Zhbogar janë në këtë drejtim – se mund të shpresojmë në ndihmë nga Brukseli nëse vetëm PSP-ja është e veçantë, me mandat të përhershëm dhe kompetenca konkrete. Shpresoj që këto mesazhe t’i dëgjojë edhe OBRM-PDUKM-ja, pasi janë kusht për hapjen e negociatave me BE-në”.
“Nuk mund të pranojmë ligj që do të jetë për interesa personale. Ligji duhet të ketë standarde dhe kjo është vija e kuqe të cilën nuk mund ta kalojmë”, tha Deskoska.
Ajo shtoi se është i papranueshëm amendamenti i opozitës maqedonase, me të cilin kërkohet që gjitha hetimet të ndërpriten prej formimit të PSP-së deri tani.
Deskoska shtoi se do të ketë takime edhe me tetë deputetët e pavarur të OBRM-PDUKM-së, prej të cilëve presin mbështetje për Ligjin për Prokurorinë Publike./Telegrafi/