Telegrafi

Dështon ekskursioni në Brezovicë, nxënësit e Prizrenit protestojnë

Iniciativa e nxënësve të shkollave të mesme në Prizren, për një ekskursion në Brezovicë, është ndaluar nga Policia e rajonit të Prizrenit me vendim të Drejtorisë së Arsimit në këtë komunë. Kjo ka bërë që nxënësit të shprehin revoltën e tyre duke protestuar rrugëve të qytetit.

Drejtori i Drejtorisë së Arsimit në Komunën e Prizrenit, Skender Susuri, në një prononcim për Telegrafin, ka sqaruar arsyet e anulimit të ekskursionit, të organizuar nga nxënësit pa pëlqimin e orgnaneve komunale.

Sipas tij, Drejtoria e Arsimit ka marr një vendim të drejtë për këtë ndalesë të ekskursionit të nxënësve. “Ky rast duhet të shërbejë si shembull i mirë edhe për komunat e tjera”.

Susuri mendon se pas këtij organizimi qëndrojnë njerëz që duan të përfitojnë nga këto raste, të cilët ai i quajti “profiterë”, pa precizuar se kush janë ata.

“E para nuk është protestë. Nuk është ekskursion, por një vendim dhe organizim i vet nxënësve pa organizator, pa asgjë. Mendoj që kemi marr një vendim të duhur. Ata janë organizuar vet përmes rrjeteve sociale. Sipas mendimit tim pas këtij organizimi qëndrojnë profiterët”, ka thënë Susuri.

Ndërsa, zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Rajonin e Prizrenit, Vesel Gashi në një prononcim për Telegrafin ka thënë se policia ka mbështetur kërkesën e Drejtorisë së Arsimit të Komunës së Prizrenit për të mos lejuar që nxënësit të shkojnë në “ekskursion”.

“Drejtori e arsimit e parandalon një shkuarje te tille të nxënëseve. Policia ka mbështetur kërkesën e tyre.  Janë nxënës të shkollave të mesme”, ka thënë Gashi. /Telegrafi/