Në mungesë të të akuzuarve dhe në mungesë të provave ka dështuar seanca ndaj 11 veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) për organizim të protestës në gushtin e vitit 2015-të.
Seanca ndaj tyre është shtyrë për një afat të pacaktuar.
Gjyqtarja Lumnije Krasniqi tha se seanca e radhës nuk do të mbahet deri sa të sigurohen provat lidhur me pronarin e një veture të dëmtuar, dëmet e të cilës ende nuk dihen.
“Seanca shtyhet për një kohë te pacaktuar derisa të sigurohen prova lidhur me pronarin e veturës dhe dëmin e shkaktuar kësaj veture”, tha ajo.
Mbrojtja e palës së dëmtuar, avokati Bedri Krasniqi tha se mungesë të kushteve për mbajtjen e seancës do të ketë një parashtresë.
Gjyqtarja obligoi Prokurorin e Shtetit që të verifikojë faktet për të gjetur pronarin e veturës si dhe shumën e dëmit të shkaktuar, gjetja e të cilave do të jetë përcaktuese e kohës për mbajtjen e seancës së radhës.
11 veteranët akuzohen se në protestën e 7 gushtit të vitit 2015 dëmtuan rrethojat e objektit të qeverisë dhe dëmtimin e një veture.