Telegrafi

Dështon sërish mbledhja e Kryesisë së Kuvendit, opozita akuzon pozitën

Ka dështuar sërish të mbahet mbledhja e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës.

Shefi i Grupit Parlamentar të  PDK-së, Ableard Tahiri, ka thënë se mbledhja ka dështuar pasi që nuk kanë marrë pjesë përfaqësuesit e mazhorancës, transmeton Telegrafi.

“Nuk arriti të mbahet mbledhja, përveç kryetarit të Kuvendit nuk ishin përfaqësuesit e mazhorancës. Dështim i radhës i LV-së, kjo mazhorancë nuk po arrin ta ketë shumicën as në kryesi, as në kuvend. Dështimi i agjendës parlamentare është i dëmshëm për Kosovën. Ne si opozitë nuk mund ta bëjmë shumicën”, ka thënë mes tjerash ai.

Tahiri shtoi tutje se Kuvendi nuk ka asnjë statistikë se si kanë votuar deputetë: “Kanë numrin total, por jo se si kanë votuar grupet parlamentare, kanë kaluar qindra ligje dhe nuk dihet si është votuar, kjo është mjerim”.

Tutje, ai tha se të enjten do të vazhdojë seanca parlamentare me pikat që kanë mbetur të papërfunduara deri tani.

Ndërsa, shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri para mediave tha se po vazhdon dështimi i mbledhjes.

“Ne kemi thirrur në interpelancë ministrin Hekuran Murati, kjo nuk do të ndodhë pasi nuk do të ketë seancë. Ju e shihni se si është gjendja në vend, Kosova është e izoluar dhe e sanksionuar. Për AAK-në vazhdimi i kësaj qeverie është vazhdimi i varfërisë së vendit”, u shpreh ai.

Tahiri po ashtu deklaroi se është e pakuptimtë të mos dihet se si votojnë deputetët. /Telegrafi/