Site icon Telegrafi

Dështon për të tretën herë miratimi i Projektligjit për Shëndetin riprodhues

Kuvendi i Kosovës ka dështuar për të tretën herë që ta miratojë në parim Projektligjin për Shëndetin riprodhues dhe fertilizimin e asistuar mjekësor.

Kjo pikë e rendit të ditës është hedhur në votim dy herë në seancën e sotme.

Por, projektligji në fjalë nuk arriti të marrë votat e nevojshme që nevojiten për të proceduar tutje.

Këtë Projektligji e kanë kundërshtuar vazhdimisht edhe disa deputetë të shumicës parlamentare, duke shkaktuar debate të shumta në shoqëri.

Në fillim të vitit Projektligji për shëndetin riprodhues dhe fertilizimin e asistuar mjekësor ishte miratuar në Qeveri.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë me këtë Projektligj rregullohet kujdesi shëndetësor, procedurat e fertilizimit të asistuar mjekësor, realizimi dhe këshillimi për këto procedura si e drejtë riprodhuese e individit kur nuk arrihet shtatzëni e dëshiruar me rrugë natyrore.

“Në të ardhmen, qytetarët mund të kenë mundësi që këto shërbime të rëndësishme lidhur me shëndetin riprodhues dhe Fertilizimin e Asistuar -Fertilizimi in vitro (IVF) t’i marrin edhe në institucionet publike shëndetësore”, njoftonte MSH-ja.

Lexo po ashtu Kuvendi miratoi Ligjin për zgjedhjet e përgjithshme

MSH ka deklaruar tutje se rregullimi i kësaj fushe tashmë edhe me ligj, krijon mundësinë për organizimin, funksionimin, rolin dhe përgjegjësitë institucionale dhe profesionale, mbikëqyrjen, inspektimin për kujdesin shëndetësor të sigurt dhe cilësor që ofrohet në fushën e shëndetit riprodhues.

Ndërkohë, Kuvendi i Kosovë, me 81 vota për, ka miratuar Projektligjin për plotësim-ndryshimin e Ligjit për Buxhetin 2023, që i hap rrugë zhbllokimit të të hyrave vetanake të komunave për vitet e kaluara.

Po ashtu, deputetët e legjislativit i zgjatën mandatin Komisionit At-hoc për procesin e vettingut dhe miratuan Projektligjin për plotësim-ndryshimin e Ligjit për minierat dhe mineralet.

Partitë opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, më 25 maj i janë rikthyer votimit në Kuvendin e Kosovës pas dakordimit që kanë arritur me Qeverinë lidhur me çështjen e të hyrave vetanake të komunave.

Deri atëherë, partitë opozitare patën bllokuar disa procese votimi për shkak të këtij konflikti të hapur mes Qeverisë dhe komunave për çështjen e financimit vetanak të komunave.

Zhbllokimin e këtyre mjeteve e kanë kërkuar edhe kryetarët e komunave të Kosovës, të cilët muajin e kaluar patën zhvilluar takim me kryeministrin Albin Kurti./Telegrafi/

Exit mobile version