Telegrafi

Dështon seanca ndaj Liburn Aliut dhe të tjerëve

Foto: Betimi për Drejtësi

Ka dështuar mbajtja e seancës gjyqësore ndaj Librun Aliut dhe të tjerëve, të cilët po akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Shqyrtimi fillestar ndaj Aliut dhe të tjerëve ka dështuar në mungesë të njërit nga të pandehurit.

Mirlinda Gashi nga Gjykata Themelore e Prishtinës konfirmoi për Telegrafin shtyrjen e seancës, ndërsa theksoi se seanca e radhës është caktuar për 30 prill, në ora 10:00.

Ndryshe, Gjykata Themelore e Prishtinës kishte caktuar 6 prillin si data e mbajtjes së shqyrtimit fillestar në rastin ndaj Liburn Aliut, dhe të tjerëve të cilët po akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Para disa ditësh Prokuroria Themelore në Prishtinë, Departamenti i Krimeve të Rënda kishte njoftuar se Liburn Aliu, tash ministër i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, kishte qenë në dijeni për ngritjen e aktakuzës për “Keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Në komunikatën thuhej se “Njësiti për Krime Ekonomike dhe Korrupsion, njofton opinionin se më 23 prill 2018, ka pranuar kallëzim penal ndaj personave L.A., A.O., Z.R., N.K., B.U., M.B., në atë kohë zyrtarë të Komunës së Prishtinës, në drejtim të veprës penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Ndërkaq, ministri i ri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës në Qeverinë Kurti, Liburn Aliu para disa ditësh kishte mohuar se ndaj tij ekziston një aktakuzë për keqpërdorim të detyrës zyrtare gjatë kohës sa ka qenë drejtor i Urbanizmit në Komunën e Prishtinës.