Site icon Telegrafi

Dështon seanca e gjykimit të ish-drejtorit të postës

Në seancën kundër Shyqyri Haxhës të akuzuarit për shpërdorim detyre Naim Rexha tha se nuk ka çfarë të dëshmojë. Seanca kundër Shyqyri Haxhës ish-drejtorit të PTK-së dështoi ngase Naim Rexha që ishte paraparë si dëshmitar tha se kishte ardhur në seancë vetëm në cilësinë e palës së dëmtuar.

Gjykata për këtë seancë i kishte dorëzuar ftesë Zyrës Ligjore të PTK-së që ta dërgojë personin e autorizuar të saj për të dëshmuar.

Por Naim Rexha tha se nuk do të vinte po të ftohej si dëshmitar ngase nuk ka çfarë të dëshmojë.

“Ju thatë se jeni palë e dëmtuar jo dëshmitar, ajo kolegia s’po e di cila ka qenë tha se paskam gabuar e pakam shkruar dëshmitar se këtu duhet të shkruhet palë e dëmtar dhe kjo ka qenë arsyeja që unë kam ardhur se përndryshe si dëshmitar nuk kisha ardhur se nuk kam çka me dëshmuar,” tha Rexha.

Avokati mbrojtës Ramë Gashi së bashku me Haxhën propozuan që në seancën e radhës të ftohet për të dëshmuar Sabahudin Ramaxhiku, tani drejtor i Zyrës Ligjore të PTK-së.

Propozimin e Gashit dhe Haxhës e aprovoi trupi gjykues i cili mori vendim që seanca e radhës të jetë më datën 1 nëntor, ndërsa për këtë seancë të ftohet për të dëshmuar Sabahudin Ramaxhiku.

Haxha nga prokuroria akuzohet se në periudhën 2009-2011 ka keqpërdorur pozitën ngase ka përfituar në mënyrë të kundërligjshme pagesën e qirasë dhe ngarkesave tjera në vlerë prej 2.000 eurosh për çdo muaj, e cila shumë arrin gjithsej 53.000 euro.

Sipas prokurorisë, Haxha këtë keqpërdorim e ka bërë në kundërshtim me Ligjin për Ndërmarrjet Publike, matricës së autorizimeve të datës 14 shtator 2009, duke e zbatuar Rezolutën e Bordit të Drejtorëve të PTK-së më 14 korrik 2009.

Kjo rezolutë rregullonte mbulimin e shpenzimeve për stafin e PTK-së që jeton jashtë vendit. Prokuroria pretendon se 28 mijë nga 53 mijë eurot Haxha i ka tërhequr në para të gatshme, ndërsa pjesën tjetër prej 25 mijë eurove me anë të xhirollogarisë në TEB Bank. /Kallxo.com/Telegrafi/

Exit mobile version