Telegrafi

Dështon miratimi i buxhetit për vitin 2025 për Prishtinën, LVV e quan “buxhet të LDK-së” dhe braktisin sallën

Shefi i asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin Komunal të Prishtinës, Gëzim Sveçla, ka thënë se si parti nuk janë konsultuar në lidhje me buxhetin e propozuar.

Sveçla në fjalimin e tij tha se projekti është bërë pa analiza konkrete, transmeton Telegrafi.

“Pazar në zhvillimin e kryeqytetit. Nuk mund ta mbështesim zhvillimin e qytetit që bëhet në ‘tryezë suedeze’. Ky buxhet nuk i shërben Prishtinës, por i krijuar nga LDK për intersa të tyre. Duhet reflektim i thellë, derisa të ndodhë reflektimi kjo seancë për neve përfundon këtu”, tha ai, derisa asamblistët e LVV dolën nga salla.

Ndërsa, asamblistja e LVV-së, Nora Kelmendi tha se kryetari Përparim Rama po hesht, ndërsa në kryeqytet ka mijëra probleme.

“Me këtë buxhet nuk po shohim asgjë për zhvillim. Buxhet i punuar vetëm sa për sy e faqe. Mos respekt kryetar, arroganca ndaj asamblistëve. Po më habit qetësia juaj karshi mijëra problemeve të qytetarëve të Prishtinës.  Nuk ju kemi bllokuar asnjëherë, e as nuk do të ju bllokojmë nëse keni projekte për zhvillim”, u shpreh ajo.

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama në fjalimin e tij tha përpilimi i buxhetit ka qenë transparent, por që ka tendenca për bllokim të projekteve.

“Përpilimi i buxhetit super transparent, kemi marrë shumë kërkesa edhe nga qytetarët, por edhe përmes metodave të ndryshme. Përpilimi ka qenë i gjatë dhe transparent, ku kërkesat e qytetarëve shkojnë në drejtori përkatëse, dhe ata përpilojnë më pas kërkesat dhe i drejtojnë tek unë. Kërkesat kanë qenë në investime kapitale”, tha ai. /Telegrafi/