Site icon Telegrafi

Dështon mbledhja “historike” ortodokse, për të cilën u deshën 55 vjet përgatitje

Mbledhja e kësaj të diele pritej të ishte mbledhje historike dhe më e madhja që prej vitit 787, për të cilën janë dashur 55 vite përgatitje dhe organizim.

Por Kisha Ortodokse ruse ka refuzuar edhe thirrjen e minutës së fundit për të marrë pjesë në takimin e parë të të gjithë udhëheqësve të kishës prej më shumë se 1220 vitesh. Rusia njoftoi se nuk mund të merrte pjesë në Këshillin e Shenjtë dhe të Madh, mbledhje që do të zhvillohet në ishullin grek të Kretës, e ku do të mungojnë edhe disa prej kishave të tjera, transmeton Tch.

Konkretisht, Kisha e Antioch, Bullgarisë dhe Gjeorgjisë kanë refuzuar kohë më parë pjesëmarrjen për shkak të mosmarrëveshjeve mbi organizimin e takimit. Në këtë mbledhje historike ishin ftuar 14 kisha, që përfaqësojnë mbi 300 milionë besimtarë.

Ekspertët thonë se vendimi i marrë nga Kisha ruse, e cila përfaqëson rreth 100 milionë besimtarë, thekson edhe njëherë përçarjet e gjata mes të krishterëve ortodoksë.

Shkak është bërë edhe një betejë për pushtet mes Rusisë dhe Patriarkut Ekumenikal të Kostandinopojës, Bartolomeu i I-rë, me seli në Stamboll, i konsideruar si kreu shpirtëror i ortodoksëve dhe “i pari mes të barabartëve”. Ai është gjithashtu edhe forca lëvizëse që fshihet pas këtij takimi.

Mosmarrëveshjet mes ortodoksëve variojnë nga planet e renditjes së vendeve ulëse, e deri te përpjekjet për pajtim me Vatikanin. Moska i frikësohet gjithashtu idesë se, Patriarku Bartolomeu i I-rë mund të japë mbështetjen e tij degës ukrainase të Kishës, duke hedhur “benzinë zjarrit” të asaj që një gazetë shtetërore ruse e ka quajtur “një luftë fetare në vlim”.

Patriarku rus Kirill deklaroi se e konsideronte mbledhjen e Kretës një sesion përgatitjeje për sinodën e ardhshme që do të bashkohet “pa përjashtim” të gjitha degët e kishës.

Exit mobile version