Sot, në Mbledhjen e V-të të Kuvendit Komunal të Prishtinës, në diskutimin rreth rendit të ditës, përveç pikave të parapara, asambleisti Ibrahim Mehmeti propozoi që pikë e rendit të ditës të jetë edhe një diskutim mbi performancën e ndërmarrjeve publike komunale dhe analizë për punën e tyre.
Komuna e Prishtinës njofton se ky propozim nuk u mirëprit nga asambleistët e LDK-së dhe PDK-së, të cilët në pamundësi për të votuar kundër këtij propozimi e braktisën seancën.
“Edhe Kryesuesi i Kuvendit, Halimi Halimi, i vetëdijshëm që me prezencën e tij përmbushet kuorumi e braktisi seancën, me çka e shkeli detyrën për të cilën e kanë votuar edhe asambleistët tjerë”, thuhet në një komunikatë lëshuar nga komuna e Prishtinës.
Pas këtij akti, kryetari i Komunës, Shpend Ahmeti tha se veprimi i Halimit është precedent i parë i këtij lloji.
Ai tha se është e pakuptueshme se si një diskutim, një analizë mbi punën e ndërmarrjeve publike mund të konsiderohet e paligjshme.
Ahmeti tha se kjo situatë me bërllok nëpër rrugë të qytetit dhe polici në stacion të autobusëve nuk mund të vazhdojë më.
Ai përmendi projektet dhjetëra milionëshe në Termokos, Trafikun Urban, gjelbërimin e qytetit nga Hortikultura dhe rritjen e veprimtarisë së Sport Marketingut si rrugë përpara për ndërmarrjet komunale.
“Neve nuk na duhen njerëz partiakë në këto ndërmarrje, por profesionistë të vërtetë, menaxherë të punës të cilët i çojnë edhe ndërmarrjet edhe qytetin përpara”, tha në fund Ahmeti, duke iu bërë thirrje të gjithë asamblistëve që të vinë në Kuvend dhe të debatojnë për të mirën e Prishtinës.
Në lidhje me braktisjen e seancës ka reaguar edhe grupi i asamblistëve të LDK-së në komunë sipas së cilës kryetari Ahmeti është munduar që të kontrabandojë një pikë jashtë rendit të ditës.
“LDK – konsideron se asnjë çështje kundërligjore dhe jashtë proceduarve të përcaktuara me ligj, nuk duhet të kalojë, pavarësisht se nga kush propozohet”, thuhet në komunikatën e LDK-së.