Site icon Telegrafi

Dështon edhe një afat i premtuar për hapjen e kufirit Bellanoc-Stançiç

Patrullat e policisë maqedonase dhe asaj kosovare takohen në pikën e kufirit Bellanoc-Stançiq, që do të jetë në menaxhim të përbashkët. Jo për të qëndruar në kufi, por vetëm për të përshëndetur pasi kufiri akoma nuk është vënë në funksion

“Megjithëse punimet në këtë objekt kanë përfunduar, ka mbetur vetëm edhe vendosja e inventarit nga të dyja palët. Nga pala kosovare thonë që hapja e kufirit varet deri në formimin e qeverisë Kurti, kurse kjo mbetet të shihet edhe nga pala maqedonase nëse këta janë në pritje të qeverisë së re”.

“Oh mos të flasim për vonesë që është shumë e tepruar. Por, besoj se kjo më tepër është problem i Republikës së Maqedonisë se ata e kanë pasur menaxhimin e kufirit, nuk e kanë bërë punën si duhet e iu kanë hedh fajin shokëve të tyre që janë të njëjtë sikur këta edhe për atë janë këto probleme”, tha Esat Islami, banor i Kosovës.

“Mirëpo, tash kur të çelet kufiri ka pak punë, jashtë asfaltit duhet pak me heq dheun sepse rrëshqet dheu sërish kur të bie shi. Ka tri vjet që ka rënë dheu, e kanë pastruar rrugën, por rreth saj jo”, u shpreh Izaim Bajrami, Banor i Maqedonisë së Veriut.

Partnerët e koalicionit Qeveritar LSDM dhe BDI ishin zotuar se kufiri do të hapej më 28 nëntor.

“Dua të njoftoj se tani janë kryer të gjitha përgatitjet e vendkalimit kufitar Bellanoc-Stançiq dhe solemnisht do të hapet më 28 Nëntor të këtij viti. Shfrytëzoj rastin ta përshëndes edhe kryetarin e Komunës së Likovës Erkan Arifin, i cili e propozoi këtë date historike për hapjen e kufirit”, deklaroi Hadi Osmani, LSDM.

Zv.kryeministri Osmani i cili ditë më parë kishte shkruar se kufiri do të hapet në një ditë të rëndësishme për shqiptarët, për vonesat, sot fajësoi palën kosovare. Ai mohon të ketë tendencë që hapja e kufirit të pritet gjatë fushatës zgjedhore.

“Jo, jo, jo aspak! Unë do të kisha dashur para dy muajve ta mbyllim këtë, por sinqerisht informacioni fundit nga kontakti i përhershëm me ta si koordinator i projektit, ka mbetur që vetëm policia e Kosovës duhet t’i lidh pajisjet me internet. Është e vetmja pengesë për momentin”, deklaroi Bujar Osmani, BDI.

Nga Aleanca për Shqiptarët thonë se ky premtim është dëgjuar disa herë para fushatave zgjedhore.

“Gjithsesi, shtyrja na qon të mendojmë se është për dy arsye. Së pari, kanë probleme se kush duhet ta pres shiritin nga ata dhe të përfitojnë pikë politike. Një arsye tjetër është që të prolongohet për një kohë që ti ofrohen zgjedhjeve. Sepse jemi dëshmitarë që gjithmonë partitë në pushtet, në këtë rast BDI mundohet që të përfitoj çdo votë përmes pushtetit”, u shpreh Flakron Bexheti, Aleanca për Shqiptarët.

Meqë objekti i përbashkët është financuar nga BE me 1,2 milion euro, autoritetet thonë se do të presin ditën kur të jenë prezent edhe ambasadorët e zyrave të BE-së në Shkup dhe Prishtinë. Autoritetet fillimisht premtuan se ky kalim kufitar do të hapet në fund të muajit gusht. 28 nëntori është afati i dytë që autoritetet po e shkelin për hapjen e kufirit./Alsat/

Exit mobile version