Site icon Telegrafi

Dështon ankandi i shitjes së aseteve të Maradonës

Ka dështuar ankandi i sendeve dhe aseteve të Diego Maradonës, që u mbajt dje në internet me mbi 1500 blerës të mundshëm me bazë në Itali, Amerikën e Jugut, Francë, Mbretërinë e Bashkuar, Rusi dhe Emiratet e Bashkuara.

Ky ankand u zhvillua me urdhër të gjyqtares Luciana Tedesco, me qëllim për të paguar borxhet e lëna nga ish-kampioni argjentinas. Mediat vendase kanë llogaritur shumën totale të operacionit, i cili do të prodhonte rreth 26 mijë dollarë (23 mijë euro), me pasuri të pashitura mbi 1.4 milion dollarë (1.25 milionë euro).

Mes tyre, brenda rreth 90 aseteve është edhe një vilë në Buenos Aires, që Maradona e kishte blerë për prindërit e tij, për të cilën askush nuk ka bërë asnjë ofertë.

Lexo po ashtu Njeriu që posedon fanellën e Maradonës me të cilën legjenda kishte luajtur ndaj Anglisë në Kupën e Botës më 1986

Oferta më e lartë ishte për një pikturë të Maradonës, vepër e artistit Lu Sedova, e cila u shit për 2150 dollarë, ndërsa një fanellë e Napolit me numrin 10 në shpinë u ble për 1500 dollarë.

Ky është komenti i organizatorit të ankandit, Adrian Mercado: “Ankandet janë kështu, nuk mund ta dish rezultatin e tyre derisa të mbarojnë. Ne prisnim shumë, por realiteti është se rezultati përfundimtar është gjithmonë një faktor i panjohur”.

Tani gjykata do të duhet të vendosë se çfarë do të bëjë me asetet e pashitura të Maradonës për të shlyer borxhet e tij. /Telegrafi/

Exit mobile version