Salla e parlamentit është vendi ku merren vendime për qytetarët. Ligjet që miratojnë deputetët e kësaj aule impaktojnë direkt jetën e shqiptarëve, akte të cilat një krah i sallës i shet si përmirësim i cilësisë së jetesës dhe tjetri si tentativë e radhës për të abuzuar me taksat e tyre.
Kuvendi kryen dy funksione parësore gjatë mandatit të tij. i pari është procesi legjislativ i cili ka të bëjë me miratimin e akteve me karakter normativ siç njihen ndryshe, ligjet e shtetit dhe, i dyti është kontrolli i pushteteve të tjera si pushteti suprem që buron nga vota e qytetarëve.
Kuvendi në një vit kalendarik miraton mesatarisht rreth 60 ligje të cilat në shumicën e rasteve janë ndryshime të akteve që janë në fuqi. Ligjet që miratohen i nënshtrohen një procedure parlamentare e cila fillon me diskutimet në komisionet e Kuvendit
I gjithë ky hark kohor kërkon mesatarisht rreth 1 muaj ku deputetët shprehin qëndrimet e tyre për nismat që në shumicën e rasteve, shkojnë në Kuvend si propozim i Këshillit të Ministrave. Ndarja ndërmjet maxhorancës dhe opozitës reflektohet në qëndrimet që palët japin ndaj nismave në fjalë ku në shumicën e rasteve rezulton se fjala “vjedhje” apo “grabitje” është kryefjalë në 20 fjalime parlamentare. Këto diskutime që ngjajnë më shumë si materiale që duhen të protokollohen tek sekretaria e Prokurorisë së Posaçme Anti Korrupsion në disa raste kanë degjeneruar edhe në ofendime banale.
Por këto ligje të miratuara nga Kuvendi jo në të gjitha rastet kanë qenë në përputhje me interesat e qytetarëve. Kjo për faktin se që nga rikthimi i funksionalitetit të Gjykatës Kushtetuese, në 13 raste janë konstatuar ligje që shkelin kushtetutën, aktin themeltar të shtetit. Gjendur përpara këtyre të dhënave, lind pyetja sesa në interes të qytetarëve janë aktet që miratohen në Kuvend.
Përpos këtyre ligjeve, gjatë vitit 2022 deputetët ndryshuan edhe Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë. Akti themeltar i shtetit u amendua me kërkesë të ndërkombëtarëve për t’i zgjatur afatin e veprimit dy komisioneve të vetingut për gjyqtarët dhe prokurorët. Arritja në këtë pikë për të bërë bashkë votat e demokratëve me ato të socialistëve që ishin firmëtarë të nismës, duket se kishte prapa krahëve një kompromis të vogël politik.
Por arritja deri në këtë pikë kishte një shtysë të fortë ndërkombëtare e cila duket se i kishte dhënë garanci opozitës për dy nisma të saj që do ta investonin kuvendin në dy nisma të mëdha ligjore dhe kushtetuese. Bëhet fjalë për komisionet e posaçme për ndarjen administrative territoriale dhe reformën zgjedhore, dy nisma të kërkuara me ngulm nga opozita, por që në nisje ngritën pikëpyetje të mëdha për seriozitetin e tyre.
Këto dy komisione u ngritën në mesin e muaj shkurt, por nuk mundën të bëheshin funksional për shkak se hallet politike brenda opozitës prevaluan mbi qëllimet e tyre politike, një ndarje të re territoriale dhe një reformim të kodit zgjedhor nëpërmjet të cilit pretendonin se do të parandalonin masakrat e ardhshme zgjedhore.
Kësisoj dy reformat e mëdha që u kërkuan me ngulm dolën në planë të dytë për shkak se aktualiteti politik diktonte një tjetër agjendë për parlamentin. Kështu që u desh të vinte muaji qershor që dy komisionet të konstatoheshin dhe të nisnin veprimtarinë e tyre.
Me rendimet më të lartë rezultoi të ishte komisioni i posaçëm parlamentar për reformën territoriale i cili në dy muajt e verës zhvilloi 11 mbledhje. Por hovin për ndonjë ndryshim të mundshëm të ndarjes territoriale ia shujtën shpejt socialistët pa votat e të cilëve në Kuvend nuk miratohet asgjë.
Pavarësisht zgjatjes, seancave të gjata dëgjimore dhe diskutimeve palëve, në finale Kuvendi nuk arriti të miratonte një reformë të madhe për vitin 2022 duke dështuar me këtë nismë. Një arsye drejtë këtij rezultati mund të ketë qenë edhe ndarja e opozitës. Përçarja se kush ka de jure apo de facto çelësat e selisë së PD-së bëri që në Kuvend të depozitoheshin dy nisma ligjore për të ndryshuar ndarjen territoriale të vendit. Berisha me të tijtë, ndonëse ishin përjashtuar nga komisioni i posaçëm, depozituan në protokollin e Kuvendit nismën e tyre, gjë të njëjtë edhe ata të Alibeajt.
A2 CNN kërkoi nga Kuvendi i Shqipërisë shumën e parave që janë paguar për deputetët e komisionit të posaçëm parlamentar për reformën territoriale nga ku rezulton se më shumë segjysmë milionë lekë kanë shkuar dieta e honorarë. Tek kjo shumë parash nuk llogaritet as një udhëtim i minutës së fundit përpara votimit në parlament të disa deputetëve në Kroaci si vizitë studimore në kuadër të funksionimit të ndarjes territoriale në shtetin ballkanik.
Nëse komisioni për reformën territoriale zhvilloi brenda veprimtarisë së tij 21 mbledhje me orë të gjata diskutimesh, diçka krejt tjetër ka ndodhur me Komisionin për reformën zgjedhore. Vendi ku diskutohen rregullat e lojës në zgjedhje ka zhvilluar në total më pak mbledhje se gishtat e njërës dorë.
Ndarja e opozitës u reflektua edhe më shumë në Komisionin e Posaçëm për Reformën Zgjedhore. Deputetët e opozitës vijojnë të kenë hije dyshimi ndaj njëri tjetrit, sidomos grupimi i Berishës dhe opozitarët e vegjël se mos Alibeaj me PS-në bëjnë një marrëveshje të fshehtë në librin e rregullave zgjedhore.
Por ndryshe nga komisioni i parë, reforma zgjedhore vijon të ketë ende mandat, por nuk ka miratuar ende asnjë iniciativë ligjore apo për t’ia dërguar seancës plenare për miratim, duke lënë praktikisht jashtë loje ndryshimet për zgjedhjet e 14 majit.
Salla e Kuvendit që ka parë shumë akte brenda sajë, e dëgjuar shumë fjalime në emër të qytetarëve do të përballet me betejën e radhës politike. Afrimi i zgjedhjeve vendore të 14majit do të dëshmojë tensionimin e radhës tashmë tre palësh, me dy opozita të ndara dhe një maxhorancë super solide në vota.