Ish-ministrja e Punëve të Jashtme, Meliza Haradinaj ka thënë sot se humbja e betejës së parë për anëtarësim në Këshillin e Evropës vjen edhe si pasojë e komunikimit (e koordinimit) të dobët diplomatik të kësaj qeverie me aleatët.
Haradinaj në një postim në Facebook shkruan se nuk duhet të harrohet se Kosova e humbi betejën në UNESCO më 2015 dhe në INTERPOL më 2018 edhe në kohën kur koordinimi me aleatët ishte maksimal dhe bashkëpunimi diplomatik ishte i ngushtë.
“Humbja e betejës së parë për anëtarësim në Këshillin e Evropës vjen edhe si rezultat i komunikimit (e koordinimit) të dobët diplomatik të kësaj qeverie me aleatët. Por nuk duhet të harrojmë se Kosova e humbi betejën në UNESCO 2015 dhe në INTERPOL 2018 edhe në kohën kur koordinimi me aleatët ishte maksimal dhe bashkëpunimi diplomatik ishte i ngushtë.
Pra, duhet të fillojmë ta kuptojmë se sot nuk jemi në vitin 1999 e as 2008 kur fituam luftën dhe shtetin, kur kishim gjithë botën demokratike në anën tonë sepse ishim viktima të gjenocidit serb, dhe ishte peizazh tërësisht i ndryshëm gjeopolitik nga siç e kemi sot”, tha ajo.
Haradinaj tutje shkruan se sot në vitin 2024, nuk jemi viktima por jemi shtet që i takojmë paktit perëndimor e demokratik, dhe duke i takuar këtij pakti – sot në rrethana të rënduara gjeopolitike – kemi edhe obligime.
“E minimalja e obligimit tonë është mirëmbajtja e aleancave strategjike, ruajtja e komunikimit diplomatik (brenda binarëve institucional) edhe kur nuk pajtohemi me aleatët, dhe më e rëndësishmja: UNITETI NDËRPARTIAK në raport me Serbinë. Pa këto, humbjet ndërkombëtare të Kosovës do të thellohen, dhe fitoret e Serbisë do të fuqizohen”, shkruan ish-ministrja. /Telegrafi/