Ndonëse u zgjodhën deputetë e u emëruan ministra shumë prej tyre brenda pak muajve ia mësynë garës edhe për zgjedhjet lokale të 22 tetorit, duke pretenduar kështu që ta marrin udhëheqjen e komunave përkatëse.
Por, pavarësisht kësaj, pjesa dërrmuese e tyre dështuan qysh në start në këtë mision. Dy ministrat e Nismës për Kosovën, Shyqyri Bytyçi (ministër i Arsimit) dhe Bajram Hasani (i Tregtisë e Industrisë), pretenduan të vinin në krye të Prishtinës e Gjilanit, por nuk arritën ta kalojnë as rundin e parë të zgjedhjeve, shkruan “Zëri”.
Ministri Hasani në Gjilan i mori vetëm 665 vota, përderisa Bytyqi në Prishtinë edhe më pak, përkatësisht 568 vota.
Përfaqësues nga Nisma lidhur me dështimet e ministrave të tyre në nivel lokal thonë se synimi i partisë nuk ishte që të shkohet në balotazh, porse të fitohet sa më shumë nëpër asambletë përkatëse.
E përderisa deputetët si Qëndron Kastrati, Arban Abrashi, Mytaher Haskuka, Sami Kurteshi, Gani Dreshaj, Mimoza Kusari-Lila e Agim Aliu shkuan në balotazh, një pjesë e konsiderueshme e tyre nuk arritën ta bënin një hap të tillë.
Zafir Berisha, Faton Topalli, Driton Çaushi, Sali Salihu, Zenun Pajaziti e Emilia Rexhepi ndonëse ishin shprehur të bindur në fitore nuk e arritën një gjë të tillë. Pavarësisht humbjes disa prej tyre thonë se nuk kishin ambicie për fitore, por vetëm për ta rritur partinë në komunat përkatëse. /Zëri/