Kanë kaluar më shumë së një vit e gjysmë prejse kompania “Rexha” ka nisur punimet për rregullimin e platos mbi “Kurriz” në Prishtinë, ndonëse sipas kontratës së nënshkruar me Komunën e Prishtinës punimet tashmë do të duhej të ishin të përfunduara në këtë projekt që “peshon” rreth 1 milion euro, shkruan sot, gazeta Zëri.
Kompania ndërtuese, e cila kishte afat 180 ditë pune për t’i përfunduar punimet e nisura në qershor të vitit 2015, e që nuk përfunduan as për një vit e gjysmë, sipas opozitës në Komunë të Prishtinës, nuk janë tjetër veçse zvarritje për përfitime të paligjshme.
Madje ata akuzojnë kryetarin e Prishtinës, Shpend Ahemtin, se për tre vjet qeverisje nuk ka realizuar asnjë projekt.
E në anën tjetër, këto zvarritje të punimeve komuna e Prishtinës i arsyeton me faktin se platforma mbi kurriz ka pasur shtresa të ndryshme materialesh në vende të ndryshme, për çka është dashur kontratë e re punimesh, me procedurë të re tenderimi. Ndërsa nga kompania “Rexha” thonë së punimet janë në fazën finale dhe se projekti do të përfundojë në fund të qershorit.
Komuna e Prishtinës dhe kompania “Rexha” thonë se punimet në këtë plate do të përfundojnë brenda vitit.
Zyrtarë nga komuna kanë thënë për “Zërin” se zvarritjet e punimeve në këtë plate kanë ndodhur për shkak të disa problemeve, të cilat kanë rezultuar me krijimin e një kontrate të re punimesh. /Telegrafi/