Daut Dauti, Londër
Për shkak të Kim Philby-it dështuan aksionet sekrete të diversantëve shqiptarë në periudhën 1948-1952 që udhëhiqeshin nga Britania e Madhe dhe SHBA-të, që kishin për qëllim rrëzimin e regjimit komunist të Enver Hoxhës. Philby mendohej se ishte njeriu kyç i Moskës në Londër, i cili ua dorëzonte sekretet Moskës e pastaj Moska ia përcillte Tiranës.
Sot dokumentet sekrete të MI5 dhe MI6 shpalosin fshehtësinë e shekullit. Njeriu kyç ishte një grua e quajtur Edith Tudor-Hart e cila më parë quhej Edith Suschitzky e lindur në Vjenë.
Dosjet e MI5 tregojnë se shërbimi sekret britanik ishte në njohuri se Edith Tudor-Hart ishte spiune, por ky shërbim i cilësuar si më i afti në botë, kurrë nuk pati mundësi që këtë spiune ta zinte në vepër. Ajo përgjohej dhe përcillej vazhdimisht, por kot. Shumicën e kohës kishte jetuar në rrugën legjendare Abbey Road, e cila rrugë në botë u bë e famshme për shkak të fotografisë së Beatles që tregon kalimin e rrugës në ‘zebër’ për të shkuar në studio të incizimeve që gjendet po ashtu në këtë rrugë.
Hart, e cila në jetën e saj ‘private’ punonte si fotografe e fëmijëve, është monitoruar edhe natën kur flinte. Të vetmen shkelje të ligjit që kishin zbuluar agjentët ishte se ajo një herë e kishte mashtruar kondukterin e autobusit kur kishte blerë një biletë.
‘Rrethi i të Pestëve’ që quhej grupi i pesë spiunëve britanikë që ishin rekrutuar nga Moska sa ishin studentë në Kembrixh dhe që punuan për NKVD, më vonë KGB, del se ka patur edhe një anëtar, Edith Tudor-Hart-in.
Madje, Hart del se ka qenë shefja e të gjithë spiunëve britanikë që spiuninin në favor të Moskës. Guy Burgess, Donald Maclean dhe Kim Philby, para se të zbuloheshin, patën sukses të iknin në Moskë. Në vitin 1964 u zbulua edhe Anthony Blunt, i cili kishte pozitën e kuratorit të artit të mbretëreshës.
Kur Blunt ishte marrë në pyetje, kishte deklaruar se të gjithë ia dorëzonin informatat Edith Tudor-Hart-it e pastaj ajo Moskës.
‘Ajo ka qenë gjyshja jonë’, u kishte thënë Blunt agjentëve të MI5 që e morën në pyetje. Por, për shkak të turpërimit e edhe për shkak të venitjes së rëndësisë së tradhtisë së tyre, MI5 nuk kishte vendosur të ngrinte padi penale për tradhti shtetërore ndaj Blunt-it dhe Hart-it.
Pra, edhe Hart ishte marrë në pyetje, por kot. Shërbimi sekret britanik i kishte bërë presion aq shumë sa që i kishte shkaktuar sëmundje psikike, por asnjë informatë relevante nuk kishte nxjerrë.
Edith Tudor-Hart ka vdekur në Londër në vitin 1973 në moshën 64-vjeçare. Deri sot, pos MI5 dhe KGB, askush nuk e dinte kush ishte ajo. /Telegrafi/