Duke u bërë vendi i fundit (i 114-i) që njohu Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran, Bangladeshi po vazhdon të mbetet shteti i vetëm që i ka sjellë njohje Republikës së Kosovës përgjatë vitit 2017.
Ndonëse edhe ministri i Jashtëm i Qeverisë së re, Behgjet Pacolli, sikurse paraardhësi i tij Enver Hoxhaj, po vazhdon të zotohet se do t’i sjellë njohje të reja Kosovës, opozita konsideron se kjo ngecje po vjen si rezultat i keqqeverisjes përgjatë viteve, shkruan “Zëri”.
Përderisa përfaqësuesit e “Vetëvendosjes” thonë se Ministria e Punëve të Jashtme e mandatit të kaluar kishte çaluar në aspektin e njohjeve, ata të LDK-së konsiderojnë se ky dikaster në qeverisjen e re është duke u treguar edhe më i dobët se ai i kaluari.
Nga ana tjetër, edhe njohësit e çështjeve politike konsiderojnë se procesi i njohjeve nuk është duke sjellë aspak rezultate.
Lidhur me këtë çështje, sipas tyre, kanë ndikuar faktorë të shumtë, duke u nisur nga politika e bërë në mënyrë jo të duhur nga ana e Kosovës, hyrja në bisedime me Serbinë e deri te propaganda e kësaj të fundit në dëm të Kosovës. /Zëri/